Top Story, vettingu “prish” qetësinë e fushatës

07/06/2017 00:00

Ankimimi i radhës i ligjit të vettingut në Gjykatën Kushtetuese nga Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve ka qenë në fokus të takimit të mbrëmjes së të martës të emisionit “Top Story”.

Analistët Mero Baze dhe Arjan Vasjari, si dhe juristët Ylli Manjani dhe Florian Kalaja i dhanë përgjigje pyetjeve të gazetarit Sokol Balla.

Sokol Balla: Baze, ky ankimim ka kapur në befasi politikën që është në fushatë. Ç’mendim keni?

Mero Baze: Ajo që më bën të dyshoj për këtë çështje është konteksti politik kur është vendosur padia dhe ndjekja e shpejtë e procedurave nga gjykata për shqyrtimin. Kjo reformë ka marrë notën kaluese nga Komisioni i Venecias, por përderisa ishte çadra në bulevard ne dyshonim se vettingu pengohej nga opozita. Por në momentin që menduam se u zgjidh çështja politikisht, na doli një çështje tjetër teknikisht. Gjithashtu, nuk ka dëgjesa publike dhe mendoj se kjo është një përpjekje për ta sfiduar ligjin.

Sokol Balla: Vasjari, kjo padi kërkon heqjen e mundësive të komisionit të vettingut që të kontrollojë gjyqtarët

Arjan Vasjari: Kërkesa e gjyqtarëve mund të jetë e drejtë, por qëllimi i vettingut ai ishte.

Mero Baze: Kjo reformë ishte për një kontroll të sistemit të drejtësisë që thuhet se është një sistem i korruptuar, por po dalin çështje të tjera.

Sokol Balla: Vasjari, duket i çuditshëm nxitimi i Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar padinë

Arjan Vasjari: Ne nuk duhet të shqetësohemi se çfarë bën Unioni i Gjyqtarëve. Debati lind tek përse e kanë bërë këtë. Unë kam disa këndvështrime. E para, nuk shoh ndonjë problem të madh. Unë besoj se kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve prek frymën e reformës. Sa i përket frymës, referuar edhe Venecias, nuk e ka vënë në diskutim atë. Kështu që Gjykata Kushtetuese është shprehur njëherë për këtë.

Sokol Balla: Kishte një dakordësi mes palëve që për variantin final të reformës do pranohej opinioni i Venecias, pra përse e kanë bërë këtë? Përse pranohet një padi tjetër që ka të bëjë me të njëjtin ligj?

Arjan Vasjari: Gjykata Kushtetuese në mënyrë direkte e ka dhënë vendimin për vettingun dhe pavarësisht kësaj padie, gjykata s’ka çfarë ndryshon në këtë ligj. Së dyti, them se është një akt i Shoqatës së Gjyqtarëve, një nevojë naive për të fituar kohë. Është një përpjekje pa sens që ata bëjnë.

Sokol Balla: Manjani, a duhet të pranonte gjykata një padi që ishte vlerësuar më parë?

Ylli Manjani: E drejta për të bërë padi është një e drejtë proceduriale. Bëhen shumë padi.

Sokol Balla: Po, por vijat janë shumë të holla

Ylli Manjani: Edhe për mua ky është një alarm fals. Përsa kohë Kushtetuesja nuk ka vendosur të pezullojë efektet e këtij ligji nuk ka asnjë problem. Puna është çfarë fiton shoqëria nga çështjet e kësaj natyre. Rreziku është se mund të ngrihen 200 gjyqtarë e prokurorë, që mund të shkojnë edhe në Strazburg. Në Strazburg ata mund të hedhin edhe shtetin në erë. Por asnjë nga këto diskutime nuk e vë në rrezik efektin e vettingut. Edhe sikur ta pranojë gjykata këtë që kërkojnë këta, ligji nuk rrezikohet. Një gjë që gjykohet njëherë nuk hapet njëqind herë.

Sokol Balla: Atëherë përse rihapet?

Ylli Manjani: Hapet se fillimisht mund të kenë paditur 5 nene, sot padisin 5 nene të tjera, etj. Mund të jetë një strategji e tyre. Por edhe po ta pranojë gjykata, ligji nuk ndryshon.

Sokol Balla: Zoti Kalaja, meqë jeni gjykatës, kjo është një reformë personale, synon trupën. Por si ka mundësi që gjykatësit, ata që do shqyrtojnë botën e krimit, padisin atë pjesë të ligjit që shqyrton atë lidhje të supozuar të tyre me krimin?

Florian Kalaja: Së pari, qëndrimi im është se përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e çdo ligji është një përpjekje e shtuar në shtetin e së drejtës. Së dyti, nuk duhet parë me shqetësim fakti që gjykata po e shqyrton me shpejtësi çështjen. Unë do ju ftoja të ndajmë shqetësimin përse çështjet e tjera nuk gjykohen kaq shpejt. Konkretisht po kontestohet ligji i ‘84-s që bën vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligji për statusin e prokurorëve 96-2016 dhe ligji që flet për organet e drejtësisë. Çështja e parë, e vettingut, që nga hyrja në fuqi e ligjit dhe vendimi i tetorit nga Kushtetuesja çoi në konkluzionin që: pavarësisht se sa herë e lexojmë ligjin dhe gjejmë norma që mund të interpretohen keq, emëruesi i përbashkët i Venecias dhe Kushtetueses ishte ky: pavarësisht çdo norme duhet bërë interpretimi kushtetues i tyre.

Sokol Balla: Po më tej?

Florian Kalaja: Ligji për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve parashikon se ata, sidomos gjyqtarët pa karrierë të posaçme në një fushë, mund të përjashtohen apriori nga konkurrimi. Të përjashtohesh apriori nga transferimi, ngritja në detyrë, etj, i bie që askush këta gjyqtarë e prokurorë të ketë të drejtë të bëjë karrierë. Tjetër, prokurorët dhe gjyqtarët e komanduar thuhet se gjatë kohës që janë komanduar mund të shkarkohen nga autoriteti që i ka komanduar. Nëse më gjeni një shtet që aplikon këtë standard, atëherë dakord.

Arjan Vasjari: Sot publiku kërkon të dijë se cili është raporti i Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve me vettingun. Në rastin e KLGJ-së dhe KLP-së, ata kanë një farë të drejte, për mendimin tim. Reforma në drejtësi e braktisi reformën e vetëqeverisjes së gjyqësorit, por duhet të kemi bashkëqeverisje. Them se duhet t’i nënshtrohemi kësaj logjike.

Ylli Manjani: Venecia ka rënë dakord me standardin që qeverisja e gjyqësorit të jetë 5 me 1, që e ka shpikur vetëm për ne dhe Malin e Zi.

Sokol Balla: Kalaja, ç’mund të na thoni?

Florian Kalaja: Nëse më pyesni se si mund të shmanget ky gjykim në Kushtetuese, do të thosha se nëse gjykata do të kishte ezauruar gjykimet e mëparshme të saj, atëherë nuk do të kishte një padi të re për vettingun.

Sokol Balla: Po thoni se do ta rrëzojë këtë padi?

Florian Kalaja: Po them se ka munguar arsyetimi në vendimet e mëparshme. Mosarsyetimi i kërkesave të mëparshme bën që çështja të vijë sërish në Kushtetuese. Unë mendoj se vendimet e marra duhet të ishin të arsyetuara që kërkesa të mos rikthehej. Por unë nuk shoh asnjë lloj puçi, asnjë lloj konspiracioni këtu. Përkundrazi, është shumë normale. Ligji është bërë nën presion dhe me nxitim.

Sokol Balla: Baze, ç’mendim keni?

Mero Baze: Mendoj se duhet të kishte një mënyrë të duhur ankimimi, që të mos ketë një seri ankimimesh që mund të sjellin një degradim në drejtësi. Por kundërshtimi i reformës urojmë të mos ketë inspirim politik.

Ylli Manjani: Nuk ka asnjë rrezik. Padia nuk e rrezikon reformën dhe veçanërisht vettingun. Çështja nuk është nëse do bëhet vettingu, që do të bëhet do të bëhet. Kemi një standard dhe kjo padi nuk e rrëzon dot këtë ligj.

Arjan Vasjari: Nuk jam për përfshirjen e politikës në këtë moment. Politika e ka bërë detyrën e saj dhe është ndarë prej këtij ligji. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias janë shprehur tashmë.

Florian Kalaja: Nëse ligjin e shohim vetëm nga teksti, atëherë do të kisha shumë shqetësim për mënyrën se si do të procedohet. Por nëse gjykata thotë se mund t’i bëhet interpretim pajtues në përputhje me Komisionin e Venecias, atëherë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Top Channel