Penalizime për fushatën, ministrja Kërtusha kërkon shkarkime

07/06/2017 00:00

Ministrja teknike e Mirëqënies Sociale, Xhulieta Kërtusha ka kërkuar shkarkimin nga detyra të dy drejtuesve lokalë, njëri në Inspektoratin Kombëtar të Punësimit dhe tjetri në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Sipas ministres teknike, dy drejtuesit lokalë kanë marrë pjesë në takimet elektorale të fushatës zgjedhore brenda orarit zyrtar të punës.

Konkretisht, Kërtusha ka kërkuar largimin nga detyra të drejtorit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit kombëtar të punësimit në Kukës, Gent Halilaj; si dhe të përgjegjëses së Agjensisë së Sigurimeve Shoqërore në Ersekë, Luiza Qipo.

Kërkesa për shkarkimin e tyre vjen në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave për masat që do të merren për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës.

Sa i takon urdhrit të ministres Kërtusha, për ushtrimin e kontrolleve në zyrat e ndihmës ekonomike, pasi sipas saj qytetarët kanë denoncuar se u është kërkuar që në këmbim të përfitimit të ndihmës ekonomike të shesin votën, burime zyrtare në Ministrinë e Mirëqënies Sociale thonë për Top channel se janë ngritur dy grupe pune.

Menjëherë pas urdhërit të ministres teknike, ditën e martë ka nisur verifikimi i denoncimeve, që thuhet se janë mbi 50. të shpërndara në drejtoritë rajonale në të gjithë vendin.

Të njëjtat burime thonë se rezultatet e auditit pritet të dalin nga mesi i javës së ardhshme, fakte që do të shoqërohen edhe me masat përkatëse disiplinore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta