Mosdeklarimi i pasurisë, Tom Doshi paraqitet në Prokurori

07/06/2017 00:00

Bien dyshimet e organit të akuzës se deputeti Tom Doshi ka pastruar para. Në përfundim të hetimit  që i referohej kallëzimit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë për gjashtë vepra penale, mes tyre edhe për pastrim parash e fshehje pasurie.

Prokurorët  pretendojnë se e dyshojnë Tom Doshin vetëm për një vepër, atë të mosdeklarimit të pasurisë. Nën këtë akuzë, deputeti do të gjykohet në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që prokuroria nuk mundi të provojë qëndrimin e ILDKPI se deputeti ka fshehur 23 milionë euro. Pasuritë që Doshi nuk ka deklaruar janë automjete e pasuri të patundshme, thonë prokurorët.

Pyetje: Ju u kallëzuat nga ILDKPI për një sërë veprash dhe në fund do të shkoni vetëm për mosdeklarim pasurie. Si e konsideroni ju hetimin e prokurorisë.

Tom Doshi: Kjo dihet që është tendencioze. U bënë dy vjet, që më datë 10 qershor 2015, kur filloi hetimi dhe në datën 10 qershor mbaron afati. Në bazë të ligjit, sot u komunikua akuza, por kjo bëhet për zgjedhjet, por unë kam një mesazh edhe për elektoratin të rrijnë të qetë. Unë asgjë nuk kam me ligjin. Unë do të jem prapë në Parlament dhe prokuroria me gjithë këto akuza do të bjerë poshtë në gjykatë.

Avokati Vladimir Meçe: Një hetim që fillon që nga viti 1992 dhe të gjithë periudhës që deputeti ka qenë në këto legjislatura deputet i Kuvendit të Shqipërisë, çdo qindarkë është e pastër, është e justifikuar.

Aktualisht deputeti ka në Gjykatën e Lartë edhe një çështje tjetër që e dyshon për kallëzim të rremë, për dosjen “Doshi-Bami-Frroku”, çështje e cila është në fazën e marrjes së provave shkresore.

Top Channel