
Pas reagimit të Ministrisë së Jashtme ruse, një ditë më parë, çështjen e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO e preku dhe vet shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili nuk foli për aderim, por për “tërheqje zvarrë” të shtetit të vogël ballkanik në aleancën e Atlantikut verior.
“Kolegët tanë perëndimorë, më së pari Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të BE-së, e kanë mani tërheqjen e Ballkanit në anën e tyre. BE-ja ka planet e saj në këtë drejtim. Po zhvillohen bisedime me Serbinë që përfshijnë Kosovën, dhe Maqedoninë e Malin e Zi. Ne nuk jemi kundër shndërrimit të këtyre vendeve në pjesë të integrimit ekonomik europian. Ky është proces i natyrshëm, duke qenë se formojnë një mekanizëm të vetëm gjeografik dhe ekonomik, një treg dhe një hapësirë të përbashkët ekonomike. Ne shpresojmë që një ditë, kjo hapësirë ekonomike të përfshijë edhe pjesën tjetër të kontinentit euroaziatik, në përputhje me konceptin e hapësirës së përbashkët ekonomike”, tha Lavrov.
Ajo që shqetëson më shumë Moskën, duket se është NATO.
“Sa i përket kësaj organizate, ajo e ka humbur justifikimin fillestar të ekzistencës së saj, pas zhdukjes së sistemit socialist, paktit të Varshavës dhe Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, kërkimi i arsyeve që mund ta justifikojnë këtë ekzistencë nuk ka rreshtur kurrë”, tha Lavrov.
“Anëtarësimi në NATO, – vazhdon Lavrov, – iu imponua Podgoricës në këmbim të besnikërisë së saj ndaj sanksioneve dhe politikës antiruse”. Kryediplomati rus shton, megjithatë, se Moska është e hapur për dialog.
Top Channel