
Refuzimi i kërkesave për azil nga autoritetet britanike të Emigracionit dhe fati i mëtejshëm i të rinjve shqiptarë të pashoqëruar, të cilët në një pjesë të konsiderueshme bien prè e grupeve kriminale shqiptare në Britani, ishte shqetësimi që mblodhi në një konferencë në “Univeristy College of London”, juristë dhe barristër, që mbrojnë emigrantetët në gjykatat më të larta të vendit.
Nën organizimin e “Shpresa Programme”, një prej shoqatave më të mëdha të komunitetit shqiptar në Britani, që kujdeset ekskluzivisht për këtë kategori shqiptarësh, në konferencë u diskutua dhe u ngrit shqetësimi se kjo kategori të rinjsh, që u refuzohen kërkesat për azil, shpesh bien prè e grupeve kriminale, kryesish atyre të shpërndarjes së drogës në Britani.
Anëtarja e Dhomës së Lordëve, Baronesha Butler-Sloss tha se do t’i paraqitet qeverisë britanike një raport brenda muajit korrik për këto shqetësime.
Ndërkohë, juristët e lartë që kanë mundur të bindin me sukses para disa javësh Gjykatën britanike të Apelit për gabimet e bëra në vendimmarrjet për rastet e azilkërkuesve shqiptarë për shkak të orientimit të tyre seksual dhe dhunës në familje, “po tentojnë të bëjnë tashmë të njëjtën gjë për rastet e gjakmarrjes”, thotë për Top Channel barristeri i njohur për emigracionin, S. Chelvan i studios avokatore “No. 5 Chambers”, i cili e fitoi këtë rast në Gjykatën e Apelit.
Një numër i madh të rinjsh të pashoqëruar kërkojnë azil në Britani për shkak të gjakmarrjes. Juristët britanikë dhe barristerët, që janë gjykatësit më të lartë në vend, kërkojnë të hedhin poshtë vërtetësinë e raporteve të ekspertëve, që përdoren nga autoritetet britanike për situatën në Shqipëri, kur shqyrtojnë kërkesat e azilit në Britani.
Juristët e lartë britanikë në këtë aktivitet, që kanë bindur Gjykatën e Apelit për rastet e shqiptarëve mbi orientimet e tyre seksuale dhe dhunën në familje, tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe për rastet e gjakmarrjes në Shqipëri. Sesa do ta arrijnë, kjo mbetet për t’u parë. Gjithsesi, ata janë besimplotë.
Top Channel