Analiza nga CNN: Katër vjet më vonë, Rusia ende po paguan për një gabim fatal në llogaritje në Ukrainë Gjashtë vende arabe, përfshirë Arabinë Saudite dhe Egjiptin, kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar për destabilizim të rajonit, edhe pse ai vet e quan vendimin e tyre “të pajustifikuar e krejtësisht të pabazë”.
Pretendimet e këtyre shteteve, ku futen edhe Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni dhe Libia, janë mjaft të ashpra. Katari, sipas tyre mbështet grupet terroriste, përfshirë Shtetin Islamik.
Agjencia shtetërore saudite e lajmeve “SPA” thotë se, Rijadi ka mbyllur kufijtë dhe kontaktet tokësore, detare e ajrore me Katarin, duke e izoluar gjerësisht.
Zyrtarët vendas citohen prej saj të pohojnë se, një masë e tillë merret për mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga rreziqet e terrorizmit dhe të ekstremizmit. Vizitorëve dhe rezidentëve nga Katari u janë dhënë dy javë kohë për t’u larguar nga këto vende, e Doha është përjashtuar edhe nga koalicioni i drejtuar prej sauditëve që lufton në Jemen.
Lëvizja e paprecedentë ka sjellë përçarjen më të fortë mes shteteve të fuqishme të gjirit. Aleatët e ngushtë të Uashingtonit e kanë përdorur me kohë fuqinë e tyre financiare dhe politike për të ndikuar ngjarjet në Libi, Egjipt, Siri, Irak e Jemen.
Mosmarrëveshjet vijnë dy javë pasi të njëjtat vende bllokuan “site”-t e lajmeve të Katarit, ku ishin shfaqur “online” kritikat e rrepta të emirit Al Thani kundër Arabisë Saudite. Qeveria e atjeshme pretendon se, faqet zyrtare të saj janë vjedhur nga “hacker”-a, por disa raporte tregojnë se komentet që godisnin edhe presidentin amerikan Trump mund të kenë qenë të vërteta.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, dhe ai i Mbrojtjes, James Mattis deklaruan se nuk presin që ky vendim të ndikojë mbi luftën kundër terrorizmit, por sërish i nxisin vendet në fjalë që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre.
Top Channel