
12 persona, mes të cilëve 4 femra, u arrestuan pas sulmit terrorist në Londër që i kushtoi jetën 7 personave dhe plagosi 48 të tjerë.
Arrestimet në zonën Barking, në Londrën lindore, u bën pas kontrollove në një apartament që i përkiste njërit prej tre agresorëve. Policia londineze vazhdon të jetë e kursyer me detajet, ndërsa fqinjët e njërit prej agresorëve thanë se ai jetonte aty prej 3 apo 4 vitesh dhe ishte i martuar e me dy fëmijë.
Sulmi u ndodhi mbrëmjen e së shtunës, kur një furgon i bardhë u përplas mbi kalimtarët në urën e Londrës dhe më pas tre persona dolën prej tij dhe qëlluan me thika njerëzit në tregun Borough, aty pranë.
Tre autorët, me bomba të rreme në trup, u eliminuan fizikisht nga policia. Pas sulmit, Kryeministrja britanike Theresa May deklaroi se ka ardhur koha të themi mjaft dhe se strategjia britanike e anti terrorizmit do të rishikohej.
“Ne nuk mund dhe nuk duhet të pretendojmë se gjërat mund të vazhdojnë në këtë mënyrë. Ne besojmë se po përjetojmë një kthesë të re në kërcënimin me të cilin përballemi, ndërsa terrorizmi ushqen terrorizmin. Por, ka ardhur koha të themi mjaft”, tha May.
Duke folur në Doëning Street, pas një takimi të Komitetit Qeveritar të Emergjencave, Cobra, ajo premtoi se do të përshkallëzoheshin përpjekjet për luftimin e ideologjisë islamike dhe se do të punohej me vendet e tjera për të parandaluar kthimin e internetit në një hapësirë të sigurtë për terroristët. Por, sipas saj, dhuna nuk duhet lejuar të pengojë procesin demokratik.
“Fushata elektorale do të rifillojë të hënën dhe zgjedhjet, ashtu siç është paralajmëruar, do të mbahen të enjten. Si vend, përgjigjja jonë duhet të jetë ajo që ka qenë gjithnjë në raste të tilla, duhet të bashkohemi dhe të mundim armiqtë tanë”, deklaroi May.
Ky është sulmi i tretë terrorist në Britaninë e Madhe në tre muaj, pas sulmit me makinë dhe thika në Uestminster në mars, me pesë viktima dhe shpërthimit kamikaz në Mançester, dy javë më parë, kur humbën jetën 22 vetë.
Top Channel