
Udhëheqësit botërorë kanë dënuar sulmin terrorist të së shtunës në Londër, ku mbetën 6 viktima dhe u plagosën mbi 30 të tjerë.
Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca vihet në krah të Britanisë më shumë sesa kurrë, teksa dy prej viktimave ishin pikërisht shtetas francezë.
Edhe kryeministri australian, Malcolm Turnbull tha se “lutjet dhe solidariteti i vendosur” ishin me popullin britanik. Një australian është shtruar në spital, ndërsa i prekur ka mbetur edhe një tjetër, njoftoi Turnbull.
Presidenti amerikan, Donald Trump shkroi menjëherë në “Twitter”.
“Çfarëdo që të kemi mundësi për të ndihmuar Londrën dhe Britaninë e Madhe, do ta bëjmë padiskutim. Ne jemi me ju! Zoti ju bekoftë!”.
Trump bëri gjithashtu thirrje për urdhrin e tij ekzekutiv për ndalimin e udhëtimeve drejt SHBA-ve nga 6 vendet me shumicë myslimane, urdhër që është sfiduar nga disa gjykata amerikane.
Macron ishte ndër të parët që reagoi për ngjarjen e orëve të vona të darkës së djeshme. “Përballë kësaj tragjedie të re, Franca është më shumë se kurrë në krah të Britanisë. Mendimet e mia shkojnë për viktimat dhe të dashurit e tyre”.
Përmes një deklarate të zyrës së tij u njoftua për plagosjen e dy francezëve, njëri prej të cilëve në gjendje kritike. Edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel reagoi përmes një deklarate.
“Sot ne jemi të bashkuar përtej kufijve, përballë terrorit dhe duke vajtuar, por gjithashtu tejet të vendosur. Për Gjermaninë, e ritheksoj se lufta kundër të gjitha formave të terrorizmit është jetike, ndaj ne qëndrojmë me vendosmëri në krah të Britanisë”.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker njoftoi se i ndiqte i tmerruar incidentet e fundit. “Mendimet dhe lutjet janë për viktimat dhe familjarët e tyre. Ju lutem ruani qetësinë”.
Reagime pati edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, si dhe ai i Zelandës së Re, Bill English.
Top Channel