Koncerti i bamirësisë në Manchester, gjithçka gati nën masa të rrepta

04/06/2017 00:00

Mijëra vetë i janë drejtuar Manchesterit, për një koncert në nder të atyre që humbën jetën në sulmin e 22 majit.

“One Love Manchester” po mbledh parà për ata që u prekën nga sulmi kamikaz në fund të koncertit të Ariana grande në “Manchester Arena”. Ajo është rikthyer në qytet, bashkë me yje të tjerë.

Ndërkohë, sulmi i së shtunës mbrëma në Londër ka bërë që masat e sigurisë për këtë koncert bamirësie të jenë të jashtëzakonshme, kurse këngëtarja Ariana Grande, në një postim në “Twitter” pas sulmit, shkruante se po lutej për Londrën.

Në sulmin kamikaz në Manchester mbetën të vrarë 22 persona, mes të cilëve fëmijë dhe adoleshentë që kishin ndjekur koncertin, por edhe prindër që vinin atje për të marrë fëmijët pas përfundimit të tij.

Viktima më e re ishte vetëm 8 vjeç. Ariana Grande rikthehet të performojë në qytet, pasi tha se donte të falenderonte qytetin e pagjunjëzuar, të kalonte kohë me fansat e saj dhe të nderonte e të mblidhte parà për viktimat dhe familjet e tyre.

Bashkë me të, koncerti sjell edhe një grup yjesh si Miley Cyrus, Justin Bieber, Katy Perry, “Coldplay”, Usher, Pharrell, Little Mix, Robbie Williams, “Black Eyed Peas”, Niall Horan dhe “Take That”.

Terreni sportiv i kriketit në “Old Trafford” ka një kapacitet prej 50 mijë personash dhe biletat u shitën brenda 20 minutave. Disa bileta u lanë mënjanë për t’iu dhënë fansave të koncertit të parë, të cilëve iu premtua hyrja falas.

Përveç Britanisë së Madhe, koncerti do të transmetohet drejtpërdrejt edhe në 38 shtete të tjera, pavarësisht ndryshimeve të zonave kohore, mes të cilave në Kinë, SHBA, Brazil, Francë, Zelandë të Re, Kanada e Australi.

Top Channel