Filipine, identifikohet autori i sulmit në kazinonë e Manilës

04/06/2017 00:00

Policia në Filipine thotë se ka identifikuar agresorin që vrau të paktën 36 persona, pasi hapi zjarr në një kazino në Manila, të premten.

Ai është filipinasi Jessie Javier Carlos, që kishte borxhe të mëdha kumari, e nuk bëhet fjalë për një sulm terrorist.

Sulmi, sipas zyrtarëve është kryer nga një person i vetëm, i cili u gjet edhe i vdekur disa orë pas tij. Carlos kishte hyrë në “Resort World Casino” dhe kishte nisur të qëllonte me armë zjarri, para se t’i vinte flakën një prej sallave. Ai kishte mbushur gjithashtu një çantë shpine, me fisha me vlerë 113 milionë pesos filipinase, ose 2.3 milionë dollarë.

Më pas, ai i ishte drejtuar zonës së hotelit të kompleksit, duke lënë pas çantën e shpinës, e duke hyrë në një prej dhomave. Sipas policisë, ai vdiq pasi i vuri zjarrin vetes.

“Ishte shtrirë në shtrat, ishte mbuluar me një batanije, ishte lyer me benzinë dhe kishte djegur veten”, thanë zyrtarët e policisë.

Më herët, ai kishte lyer me benzinë edhe tapetet dhe pajisjet e tjera në dhomë, duke bërë që flakët të përhapeshin gjithandej. Edhe pse zjarri në kazino nuk ishte i madh, tymi ishte shkaktar për disa viktima.

Top Channel