
George Soros e nxit Bashkimin Europian ta vazhdojë presionin mbi Poloninë dhe Hungarinë për të mbrojtur sundimin e ligjit.
Nga Forumi Ekonomik i Brukselit, financieri miliarder amerikan e përshëndeti qëndrimin e prerë të bllokut ndaj të dy këtyre vendeve, për të cilët kritikët thonë se po marrin gjithmonë e më shumë një karakter autoritar.
Me mijëra vetë kanë dalë kohët e fundit në protesta të organizuara në mbrojtje të Universitetit të Sorosit, “CEU” në Hungari, i sulmuar ashpër nga qeveria e Viktor Orban.
“Jam i mbushur me admirim për mënyrën e guximshme sesi populli hungarez i ka rezistuar mashtrimit dhe korrupsionit të shtetit mafioz që ka krijuar regjimi i Orban. Jam gjithashtu i inkurajuar nga mënyra energjike, me të cilën i janë përgjigjur institucionet europiane sfidave që paraqesin Polonia dhe Hungaria”, tha George Soros, financier.
Një zëdhënës i qeverisë hungareze deklaroi se, Soros ka një axhendë të qartë politike, të cilën e ndjekin edhe organizatat e themeluara prej tij.
Vet kreu i ekzekutivit hungarez, Orban e portretizon Sorosin si një spekulator financiar, që mbështet emigracionin masiv në Europë.
Themeluesi i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur kishte edhe një paralajmërim për BE-në. Ai mendon se blloku po përballet me një krizë ekzistenciale dhe se nuk duhet të lejojë që bisedimet e zgjatura të “Brexit”-it t’ia tërheqin vëmendjen nga reformat jetike.
Edhe Soros është për një Europë të disa shpejtësive dhe binarëve të ndryshëm, e cila t’u lejojë vendeve anëtare një shumëllojshmëri më të madhe zgjedhjesh demokratike.
Top Channel