Ndryshimet klimaterike, SHBA i dorëzon “timonin” Kinës

02/06/2017 00:00

Javë më parë, presidenti kinez Xi Jinping u shfaq në media duke mbjellë pemë dhe bëri thirrje për mbrojtjen e natyrës, ndërsa homologu i tij amerikan Donald Trump vendosi që ta braktisë atë, bashkë me Paktin e Parisit për klimën.

Një buzëqeshje më shumë në fytyrën e Xi Jinping, për të cilin ky ka qenë një vit shumë i mirë në skenën ndërkombëtare. Ai drejtoi një samit për planin e tij madhështor të ekonomisë globale, mahniti elitën botërore në Davos dhe hoqi qafe TPP, një marrëveshje e madhe tregtare ku Pekini nuk bënte pjesë.

Por, të enjten, me braktisjen e Marrëveshjes së Parisit për Klimën, Donald Trump i dha Presidentit kinez çelësat e makinës, pasi boshllëku i lënë nga SHBA pritet gjerësisht që të plotësohet nga Kina. Që para se SHBA të hiqte dorë nga Pakti i Parisit, Kina e kishte bërë të qartë se do të respektonte Marrëveshjen e Parisit dhe kjo u konfirmua nga kryeministri kinez Li Keqiang, i cili u takua me lider evropianë, mes të cilëve edhe Angela Merkel.

Kina nuk ka qenë gjithnjë një luftëtar i klimës, madje është një nga ndotësit më të mëdhenj, por shumë gjëra kanë ndryshuar. Së pari, reduktimi i ndotjes është bërë një temë serioze e brendshme për Pekinin. Së dyti, Kina nuhati mundësinë ekonomike tek energjia e pastër dhe ka investuar miliarda në këtë sektor. Së treti dhe mbase më e rëndësishmja, shkencëtarët kinezë përmbytën me studime qeverinë, duke i thënë se ndryshimet klimetarike janë të vërteta dhe jo një komplot perëndimor për të frenuar Kinën.

SHBA, me tërheqjen nga Pakti i Parisit, i dha Kinës një fitore morale, diçka që i jep mjaft mbështetje presidentit Xi në shtëpi dhe jashtë saj. Mbase, ai nuk është ende lideri i vërtetë i klimës, por është padyshim lideri “de facto”, pasi mundësia i ra në prehër dhe Xi Jinping nuk është nga ata që e lënë shansin t’i shpëtojë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta