
Këshilltari special në krye të hetimit për lidhjet e mundshme mes Rusisë dhe drejtuesve të fushatës zgjedhore të Donald Trump, Robert Mueller pritet të zgjerojë edhe më tej këtë hetim duke përfshirë hetimin e një jurie hetuesish ndaj ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn.
Kjo lëvizje e fundit nënkupton se hetimi i ngarkuar politikisht i Mueller do të shtrihet tashmë edhe në punën e paguar të Flynn si lobist për një biznesmen turk në vitin 2016, përveç kontakteve mes zyrtarëve rusë dhe Flynn dhe të besuarve të tjerë të Trump gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit.
Prokurorë federalë në Virginia janë duke hetuar një marrëveshje mes Flynn dhe biznesmenit turk, Ekim Alptekin, si pjesë e hetimit penal të jurisë, sipas një fletëthirrjeje të siguruar nga “Reuters”.
Kompania e Alptekin, “Inovo BV” me seli në Holandë, e ka paguar Flynn për konsulencë për plot 530 mijë dollarë, mes shtatorit dhe nëntorit, për të prodhuar një dokumentar kërkimor ndaj Fethullah Gulen, klerikut mysliman turk që jeton në ekzil të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e fajëson Gulenin si organizator të grushtit të shtetit të dështuar korrikun e vitit të kaluar.
Alptekin, një aleat i Erdoganit, tha për “Reuters” se e kishte punësuar Flynn për t’i dhënë rezultatet e një kërkimi sesi Gulen “po helmon atmosferën” mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Gulen ka mohuar të ketë rol në atë përpjekje për grusht shteti, ndërsa i hedh poshtë pretendimet e Turqisë se ai kryeson një organizatë terroriste.
Juria në Virginia ka lëshuar një fletëthirrje për disa nga bashkëpunëtorët biznesi të Flynn, të përfshirë në punën për “Inovo”, thotë dy burime me njohuri për hetimin. Fletëthirrja e parë nga “Reuters” kërkon të dhëna bankare, dokumente dhe komunikime lidhur me Flynn, kompanisë së tij “Flynn Inter Group”, Alptekin dhe “Inovo”.
Avokati i Flynn, Robert Kelner nuk iu përgjigj kërkesës për t’u pyetur mbi punën e ofruar nga Flynn për “Inovo”, apo për hetimin e Mueller. Edhe një zëdhënës i këtij të fundit refuzoi të komentonte, sikurse edhe vet Alptekin, kur u pyet në lidhje me hetimin e Flynn, apo nëse ai vet apo ndonjë i njohuri i tij ishin thirrur nga hetuesit amerikanë.
Top Channel