Masakra në Manila, nxirren trupat e 36 viktimave nga kazinoja

02/06/2017 08:10

Të paktën 36 trupa të pajetë u nxorën nga një kazino dhe një kompleks hotelesh të kryeqytetit filipinas, Manila, ku një person i armatosur hapi zjarr mbrëmjen e së enjtes. Shumica e viktimave ishin mbytur nga tymi toksik që mbushi ajrin, kur agresori iu vuri zjarrin tavolinave të kazinosë.

“Ka qenë tymi i dendur, ai që u ka marrë jetët këtyre njerëzve. Salla ishte me tapiceri dhe tavolinat, sigurisht janë nga materiale që digjen menjëherë”, tha Oscar Albayalde, shef policie në Manila.

Personi, kombësia e të cilit nuk është bërë ende e ditur, nisi të qëllonte papritur në kazino, në atë që forcat vendase të rendit besojnë se ishte një tentativë për vjedhje, e cila shkoi keq. Besohet se ai u ka hedhur benzinë tryezave e u ka vënë flakën, që të krijohej kaos dhe të arrinte t’ia mbathte, por kur e pa kthesën që mori situata dhe rrethimin e policisë i vuri zjarrin vetes.

“Pamjet e marra nga kamerat e sigurisë tregojnë se, nga fillimi e deri në fund të ngjarjes, agresori ka vepruar i vetëm. Nuk ka pasur njeri tjetër me të”, tha Oscar Albayalde, shefi i policisë.

Autoritetet filipinase deklaruan fillimisht se nuk kishte viktima. Vetëm pas mësymjes së kompleksit, kur ishte marrë ndërkohë trupi i pajetë i agresorit, u gjetën të vdekurit e tjerë.

Zyrtarët vendas këmbëngulin se ngjarja nuk ka sfond terrorist, pavarësisht një pretendimi të Shtetit Islamik. Sipas dëshmitarëve okularë, me të hyrë në sallë, personi nisi të shtinte me armë, u vuri zjarrin tavolinave të lojës dhe filloi të mbushte çantën e shpinës me fisha që vlenin gati 2.3 milionë dollarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA