
Ekipi holandez, që fitoi edicionin e sivjetshëm të konkursit të zhvilluar nga kompania “Space X”, e sipërmarrësit miliarder Elon Musk, për zhvillimin e teknologjisë së transportit super të shpejtë, “Hyperloop”, po krijon një qendër ku testimi i saj do të kryhet në shkallë të plotë.
“Hyperloop” është një lloj treni që udhëton brenda një tubi me shumë pak ajër, e teorikisht mund të arrijë të lëvizë me një shpejtësi prej 1.200 kilometrash në orë.
“Që qytetet të mbeten sa më tërheqëse, infrastruktura e një spostimi të shpejtë ka rëndësi kyçe. E një prej atyre gjërave që mund ta heqin vështirësinë e lëvizjes dhe kohëzgjatjen e saj është ‘Hyperloop’. Mund të jetosh shumë larg vendit ku punon, por sërish të mos shpenzosh nga koha jote me udhëtime të gjata. Kjo është mjaft pozitive për njerëzit që udhëtojnë çdo ditë”, tha Tim Houter, bashkëthemelues i “Hardt Global Mobility”.
Sistemi inovator mund ta ndryshojë përgjithnjë transportin publik. Sipas krijuesve të tij, “Hyperloop” do të jetë i sigurtë, me kosto të ulët dhe nuk do të dëmtojë mjedisin. Ideja është që ai të funksionojë 100% me energji diellore, por mbi të gjitha të jetë super i shpejtë.
Kështu, një udhëtim 4-orësh me makinë nga Los Angeles për në Las Vegas, me “Hyperloop” do të bëhej për vetëm 30 minuta. Sistemi përbëhet nga një seri kabinash që lëvizin pezull, në ajrin brenda një tubi të gjatë, pa pasur nevojë për shina dhe mund të ndërtohet nën tokë ose mbi të.
Top Channel