
Pasagjerët e një avioni të kompanisë ajrore “Malaysia Airlines” janë hedhur në sulm dhe kanë neutralizuar personin që shkaktoi panik, duke kërcënuar me bombë pas ngjitjes në bordin e “Boeing 777 – 200 ER”.
Fluturimi “MH128”, me destinacion Kuala Lumpurin u detyrua të kthehej në Melbourn, kur burri tentoi të hynte në kabinen e pilotit. Avioni u ul në tokë pa probleme, ndërsa individi që shkaktoi të gjithë trazirën u arrestua.
Incidenti, sipas autoriteteve nuk ka sfond terrorist. Personi i prangosur nuk ka pasur vërtet bombë me vete. Sipas njërit prej pasagjerëve, i dyshuari mbante në dorë një “objekt shumë të pazakontë”, për të cilin policia më vonë sqaroi se nuk ishte eksploziv.
“Personi kishte në duar një send të zi të pazakontë. Kur i thashë çfarë po bën, a je në rregull, ai përsëriti kërcënimin. Pastaj u përpoq të vraponte në fund të avionit, por 3 australianë, heronj të vërtetë për mendimin tim, e mbërthyen me forcë dhe e bllokuan krejtësisht”, tha Andreë Leoncelli, pasagjer.
I dyshuari ishte një 25-vjeçar nga Sri Lanka dhe vetëm pas incidentit do të mësohej se ai ishte liruar nga një spital psikiatrik pranë Melbournit ditën e mërkurë. Policia e trajtoi fillimisht ngjarjen si episod të mundshëm terrorist, përpara se të dilnin në dritë detajet e reja, të cilat tregonin se i ndaluari kishte probleme mendore.
Sipas forcave të rendit, ai mbante në dorë një altoparlant “Bluetooth”, ose një pajisje të ngjashme me të. 25-vjeçari ka kërkuar të flasë me pilotin, e pas kësaj ka nisur të acarohet e të lëshojë kërcënime, duke u treguar njerëzve sesi mund të shtypte nga çasti në çast butonat e objektit që e quante “bombë”.
Top Channel