
Në ditën Ndërkombëtare të luftës kundër duhanit përfaqësuesja e OBSH, Nazira Artykova, vlerësoi se Shqipëria ka bërë progres me reduktimin e duhanpirjes duke mos e lejuar atë në ambiente të mbyllura, por mbetet ende për të bërë.
“Sot 43% e meshkujve shqiptare janë duhanpirës ndërsa mbi 20% e femrave janë duhanpirëse. Duke iu referuar kërkimeve, madje edhe tek fëmijët nën moshën 16 vjeç ka duhanpirje, 4% e tyre janë të prekur nga tymosja”, shprehet Nazira Artykova.
Kreu i Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror theksoi se vijnë inspektimet në zbatim të ligjit anti-duhan, por theksoi se është një luftë që kërkon dhe përfshirjen e shoqërisë.
“Ka përmirësim të ndjeshëm në drejtim të zbatimit të ligjit, por kërkohet përfshija e shumë aktorëve madje dhe vetë shoqërisë”, shprehet Eltar Deda.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri në daljen e tij të parë publike garantoi zbatimin e strategjive të qeverisë shqiptare përsa kohë do të jetë në krye të këtij institucioni.
“Strategjitë që qeveria shqiptare ka ndjekur dhe do të ndjekë për të implementuar, për të vënë në praktikë ato politika që çojnë në pakësimin e reduktimit të duhanit, me qëllim reduktimin e pasojave të tij”, u shpreh ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Beqiri.
Top Channel