
Sir Alex Ferguson i ka rikujtuar ish-skuadrës së tij Manchester United se ka detyrën të argëtojë tifozët e saj dhe ata kundërshtarë me një futboll të bukur në rikthimin në Champions League sezonin që vjen.
Suksesi ndaj Ajaksit në finalen e Europa Ligës i mundësoi formacionit të Joze Murinhos një vend në kompeticionin elitar pas një viti mungesë, por pjesëmarrja për trajnerin legjendar, është vetëm gjysma e sfidës.
Skocezi Ferguson i ktheu Djajtë e Kuq një markë ndërkombëtare dhe pasuroi muzeun e trofeve me thuajse të gjithë titujt e mundshëm. Njeriu që ka fituar dy herë Champions, i bëri thirrje trajnerit aktual Murinho dhe lojtarëve, që të mposhtin dyshimet dhe skeptikët.
“Kundërsulmi është bërë më efektiv në futbollin e sotëm dhe kjo falë përmirësimit të kushteve dhe mbrojtjes së lojtarëve që mundësojnë një spektakël më të bukur. Ne duhet gjithmonë të kemi në mendje që ka një publik që ka ardhur për t’u argëtuar. Në kohën time te Manchester United ishte një lloj shprehjeje që duhet të luash deri sa të fitosh. Nëse ishte fitore 4-3 apo 5-4 ishte shumë mirë. Ndeshja ime e fundit me Djajtë e kuq ishte barazim 5-5 ndaj Uest Bromuic në vitin 2013. Nuk mund të kërkoja një rezultat më të mirë në sfidën time finale”, tha Sir Alex Ferguson.
Top Channel