
Në prag të ndeshjes së fundit sezonale, që është finalja e Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Tiranës, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, kanë bërë epilogun e një sezoni me shumë probleme.
Pasi ka falenderuar FSHF-në, presidenti Duka, për 7200 ndeshjet e zhvilluara në këtë vit, në të gjitha kategoritë dhe moshat i është rikthyer problematikës së Superiores, për titullin e këtij viti që pati ankesa të mëdha, sidomos pas ndeshjes Kukësi-Skënderbeu.
“Më vjen keq që presidenti i Skënderbeut ka deklaruar që i vjen turp që është pjesë e këtij kampionati. Të mos i vij turp aspak sepse një javë përpara ndeshjes me Kukësin për një gabim arbitrari Tirana u penalizua shumë”, shprehet Armand Duka.
Ndërkohë, presidenti Duka theksoi se skuadra e Skënderbeut është nën hetim tashmë edhe nga Etika shqiptare për dyshime për trukime ndeshjesh, një problematikë jo vetëm e tyre, por për momentin po diskutohet skuadra korçare.
“Etika është duke diskutuar në këto momente çështjen e Skënderbeut me që në dosjen e UEFA-s përfshihen edhe ndeshje të kampionatit tonë, por nuk di të them çfarë vendimi mund të marrin”, thotë kreu i FSHF.
Edhe pse si çdo vit, gjyqtarët kanë qenë një pikë e diskutuar dhe problematike, në këtë fundkampionati FSHF ka vendosur të përjashtojë, madje dhe t’i heq stemat e FIFA-s 2 nga 3 gjyqtarët kryesorë.
“Me qenë se i ka publikuar FIFA, mund të them se ose ato ose dy të tjerë do të kemi sërish me stemë, do të mbetemi me 3 gjyqtarë në FIFA për sezonin e ardhshëm”, tha Duka.
Top Channel