Ministrat e rinj të qeverisë së Maqedonisë do të hyjnë në skanerin e Prokurorisë Speciale. Emrat e propozuar do të verifikohen me kujdes nga ky institucion, i cili do të shohë nëse janë të përfshirë në afera korruptive apo skandale të tjera, që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e institucioneve, ose detyrës zyrtare.
Një gjë të tillë e konfirmoi vet udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me të mandatuarin Zoran Zaev, njeriun që do të drejtojë qeverinë e re në 4 vitet e ardhshme. Ahmeti theksoi se, Zaev do të verifikoje në institucione pastërtinë e të gjithë ministrave të rinj.
“Sa i takon pastërtisë apo biografisë së kandidatëve, përfshirë këtu edhe kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim”, tha Ahmeti.
Zaev thotë se, materialet janë dorëzuar që të gjitha dhe tani pritet se çfarë do të thotë Prokuroria Speciale. Sipas medieve vendase, ka mundësi që dy kandidatë të mos e plotësojnë kushtin e pastërtisë së figurës për të mbajtur portofole ministrore, por kjo mbetet për t’u parë.
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka sqaruar më tej vendimin e tij për të mos qenë pjesë e qeverisë së re.
“Përfundoi koha, kur shqiptarët bëheshin pjesë e qeverive pa marrëveshje”, tha Kasami për gazetarët dhe i sfidoi Ali Ahmetin dhe Zoran Zaevin, duke u kërkuar të dalin e të tregojnë publikisht se për çfarë janë marrë vesh mes tyre për bashkëqeverisje.
Kreu i LSDM-së ka njoftuar se do të bëhet përpjekje, që dokumentet e nevojshme të përgatiten sa më shpejt të jetë e mundur dhe të dorëzohen në Parlament. Kjo nënkupton se, zgjedhja e qeverisë së re do të mund të ndodhë të mërkurën, ose të enjten.
Top Channel