Licencimi i klubeve, Gjini: Kamza dhe Lushnja nuk kanë kushte

29/05/2017 00:00

Mbyllja e sezonit futbollistik i hap rrugë përgatitjeve të skuadrave për kupat e Europës. Sektori i licencimeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka sqaruar situatën dhe kushtet e skuadrave që kanë paraqitur kërkesë për licencim europian dhe që i është pranuar.

“Korabi u tërhoq duke parë edhe klasifikimin dhe situatën që kishte. Pra nuk e mbylli plotësimin e dokumentacionit të kritereve. Komisioni i licencimit vendosi që të refuzojë licencat për skuadrat e Tiranës, Vllaznisë, Flamurtarit. Apeluan vetëm dy klube: Tirana dhe Laçi. Duke rishqyrtuar dokumentacionin shtesë vendosi që si Tiranës, edhe Laçit, t’ua japë licencën duke plotësuar kështu numrin 7 të klubeve shqiptare, të cilat kishin të drejtë të aplikonin dhe të merrnin pjesë në kompeticionet europiane”, tha Eduard Gjini, shef i Sektorit të Licencimeve në FSHF.

Ndërkohë, Gjini njofton se, sa i përket licencimeve vendase, skuadrat e kualifikuara për në Kategorinë Superiore të sezonit të ardhshëm, Kamza dhe Lushnja, momentalisht nuk i plotësojnë kriteret e infrastrukturës.

“Kemi bërë një inspektim në Kamëz. Fusha është në kushte të papranueshme. Stadiumi duhet rikonstruktuar. Ka shumë probleme, por unë shpresoj që ata t’i plotësojnë kriteret. E njëjta situatë është edhe te Lushnja”, tha më tej Eduard Gjini.

Federata Shqiptare e Futbollit, edhe në këtë rast do të ndihmojë dy skuadrat e ngjitura në Superiore për infrastrukturën, duke investuar në pjesën e fushës. Ndërkohë që rrethimin e stadiumit dhe gjithçka tjetër duhet, do të ndihmohen nga bashkitë përkatëse. Afati i përfundimit të punimeve do të jetë mesi i muajit korrik.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta