FRESSH “zbarkon” në ishullin e Sazanit

29/05/2017 00:00

Të rinjtë e qytetit të Vlorës, të organizuar nga Forumi Rinor Eurosocialist, zgjodhën këtë fundjavë një udhëtim drejt ishullit të Sazanit për të promovuar këtë destinacion turistik të hapur për turistët vendas e të huaj.

Bashkë me të rinjtë ishin kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste dhe Kryebashkiaku Dritan Leli.

“Kush më shumë se sa të rinjtë do të mund ta shijonte këtë hapësirë dhe njëkohësisht të ishim edhe promotorët e turizmit në bashkinë tonë”, u shpreh kryetarja e FRESSH-it Saniela Xhaferaj, njëkohësisht kandidate për deputete.

Kandidati Edmond Leka ftoi të rinjtë të njihen me vlerat turistike që ofron Vlora për ta bërë këtë rajon sa më tërheqës.

“Do njiheni edhe me vlerat turistike të ishullit, por ajo që është më kryesorja, ne duhet të promovojmë vlerat kulturore që ka ishulli i Sazanit”, nënvizoi Leka.

Kryebashkiaku Dritan Leli sqaroi se me iniciativën e qeverisë shqiptare, me përkujdesjen e veçantë të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Turizmit, ishulli po i rikthehet destinacionit turistik të Shqipërisë.

“Ajo që është interesante në këtë vend është se këtu duhet sikur jeta ka ndaluar 25 vjet më parë. Nuk ka asnjë objekt të ndërtuar në këto 25 vite siç ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë, ka vetëm objekte ushtarake dhe shtëpitë e banimit të cilat janë tanimë të dëmtuara e të papërdorshme. Është duke u punuar nën kujdesin e qeverisë franceze, një projekt ndërqeveritar për ti rikthyer Vlorës dhe Shqipërisë destinacionin e munguar turistik”, theksoi Leli.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta