
Reforma e ndërmarrë në pensione dhe përfitimet për veteranët ishin në qendër të bashkëbisedimit të zhvilluar në Vlorë nga Drejtuesi politik i Qarkut, Damian Gjiknuri me përfaqësues të këtyre kategorive sociale.
“U bënë disa gjëra, nuk janë bërë të gjitha. U sigurua edhe një pension minimal për fshatin, gjë që ka qenë e pamundur më parë dhe kjo u bë në sajë të reformave të qeverisë së Edi Ramës. Së dyti, edhe për 6600 veteranë, pati një rritje çka më parë nuk kishte ndodhur. Edhe me mundësitë e pakta për shkak të vështirësive të këtyre katër viteve, bëmë të mundur edhe një rritje modeste të pensioneve e cila po ju them se në katër vjeçarin e ardhshëm do të vazhdojë”, premtoi Gjiknuri.
Më tej, ai nënvizoi se pensionistët dhe veteranët për shkak të eksperiencës së tyre janë në gjendje të kuptojnë më mirë rëndësinë e të bërit shtet.
“Ju jeni me eksperiencë, ju keni mundësi që nga eksperienca e jetës, tu tregoni shumë të rinjve që gënjehen nga deklarata apo premtime boshe. Ju e keni parë që puna e të bërit shtet nuk është e thjeshtë. Ato që po bën kjo qeveri nuk janë të thjeshta, por mirëqenia dhe zhvillimi vijnë vetëm nga qeveritë që janë serioze me të bërit shtet dhe reforma. Është një shans për ti thënë edhe më të rinjve, për ti bindur që duke i dhënë mandatin e plotë Edi Ramës do kemi mundësi të qeverisim më mirë për Vlorën dhe e kemi treguar me vepra. Vlora ka një perspektivë të mrekullueshme dhe të gjithë ju do ta shikoni, që siç po ndryshon këto vite do të vazhdojë të ndryshojë katër vitet e ardhshme”, u shpreh Gjiknuri.
Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli tha se projektet e investimit në qytet do të jenë të garantuara me mbështetjen e qeverisë Rama.
“Vërtet në këto dy vite të miat punë, ato që kanë ndodhur dhe ajo mbështetje që unë personalisht kam marrë si kryetar i Bashkisë së Vlorës, si i mbështetur e votuar nga ju për ta bërë Vlorën më të mirë, nuk kanë ndodhur në një çerek shekulli”, theksoi Leli.
Top Channel