
Presidenti Bujar Nishani mori pjesë në punimet e “Platformës globale 2017 për reduktimin e rrezikut të katastrofave”, që po zhvillohet në Cancun të Meksikës.
Duke vlerësuar këtë nismë të OKB-së dhe qeverisë së Meksikës, kreu i shtetit shqiptar njohu të pranishmit me faktin se Shqipëria renditet ndër vendet me prekshmëri të lartë nga fatkeqësitë natyrore, si në nivel europian, ashtu edhe në nivel botëror, e për këtë arsye ajo është seriozisht e angazhuar në zbatimin e “Axhendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm”.
Gjatë vizitës së tij në Meksikë, Presidenti Nishani u takua edhe me përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për reduktimin e rrezikut nga katastrofat, Robert Glasses, me të cilin bisedoi në mënyrë të veçantë për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes strukturave përkatëse të Kombeve të Bashkuara dhe atyre shqiptare, në masat paraprake për menaxhimin e efekteve të katastrofave.
Gjithashtu, Presidenti Nishani zhvilloi takime e biseda të shkurtra edhe me Presidentin e Meksikës, Enrique Pena Nieto, e zyrtarë të tjerë të lartë që morën pjesë në punimet e këtij aktiviteti.
Top Channel