
Botërori i Formulës 1 rikthehet këtë fundjavë me Çmimin e Madh të Monakos.
E gjithë beteja për suksesin është mes Lewis Hamilton dhe Sebastian Vettel, me gjermanin që do të kërkojë t’i përgjigjet britanikut pas fitores së këtij të fundit në Spanjë dhe të triumfojë në garën e Principatës, gjë që Ferrarit i mungon që nga viti 2001, me Michael Shumacher.
Vettel deklaroi se ai nuk ka asgjë për të humbur në këtë garë edhe pse Mercedesi është ende skuadra më e fortë.
“Mercedesi është ende skuadra për t’u mundur, por ne besojmë se kemi një makinë shumë të mirë dhe nuk kemi pse të ndjejmë frikë. Kam shumë besim”, tha Vettel.
Ndërsa Lewis Hamilton preferon të mos hyjë në një luftë psikologjike me Vettelin dhe deklaroi se dëshiron që ta mposhtë gjermanin në momentin më të mirë të tij.
“Ndihem krenar për faktin që ndihem i fortë nga ana psikologjike. Nuk kam ndërmend që jashtë piste të hap luftë në këtë aspekt me Sebastian Vettel. Dua ta mund në pistë pikërisht tani që ai është në nivelet më të larta”, deklaroi Hamilton.
Dhe në fakt, Hamilton ia arriti qëllimit për momentin në pistën e Monakos. Britaniku është fituesi i sesionit të parë të provave të lira, me kohën 1 minutë 13 sekonda e 425 të mijtat, duke e lënë pas rivalin e tij Vettel me 196 të mijtat më shumë.
Top Channel