
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini vlerësoi marrëveshjen e arritur për zhbllokimin e vettingut.
Në takimin me kryeministrin Rama në Bruksel, Mogherini bëri të qartë se Bashkimi Europian do vijojë mbështetjen e plotë për të ecur përpara me reformën në drejtësi, ashtu siç do vijojë me mesazhet e qarta për ata që e bllokojnë atë.
Kryeministri Rama theksoi se marrëveshja u bë për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe për nevojën që ka Shqipëria të ndahet nga e kaluara konfliktuale.
Ndërsa në darkën informale, në të cilën Përfaqësuesja e Lartë e BE, Mogherini mblodhi 6 kryeministra, u fol për situatën në Ballkanin Perëndimor, për nevojën e vijimit të reformave në rajon, si dhe për perspektivën europiane të rajonit si një i tërë.
Takimi, theksoi Mogherini, ka si synim t’i japë një mesazh pozitiv rajonit për perspektivën europiane dhe do të bëhen takime të tilla periodike në të ardhmen, që të ecim para më shpejt drejt kësaj perspektive.
Ne takimin e Brukselit morën pjesë edhe kryeministri i mandatuar i Maqedonise, Zoran Zaev dhe kryeministri në ikje i Kosovës, Isa Mustafa.
Në foton e shpërndarë për mediat nga zëdhënësja Maja Koçijançiç, ajo çka është komentuar më gjatë edhe nga analistë të huaj, si analisti dhe gazetari britanik Tim Judah ka qenë veshja e kryeministrit Rama. Për Judah, kreu i qeverisë shqiptare merr çmimin për veshjen e mbrëmjes.
Kryeministri Rama do jetë në takimin e krerëve të shteteve të vendeve anëtare të NATO-s, ku do jenë edhe presidenti Donald Trump, kancelarja Merkel dhe mbreti i Belgjikës.
Top Channel