Futboll apo spiunazh! Skaner fytyre për secilin tifoz

24/05/2017 00:00

Kur mijëra tifozë të mbushin rrugët e Kardifit dhe “Millennium Stadium” në 3 qershor për finalen e madhe të Ligës së Kampioneve, shumë pak do ta kuptojnë se fytyrat e tyre do të jenë skanuar dhe procesuar nga policia. Alarmi në rritje për sulmet potenciale terroriste, po e kthen edhe një ndeshje futbolli në një test për agjencitë e inteligjencës.

Imazhet e mijëra tifozëve në vende publike dhe stadium, do të krahasohen nga policia britanike me një “database” prej 500 mijë personash “interesantë”. Pikërisht kështu e përcaktuan agjentët përgjegjës për planin e sigurisë në Kardif. Pavarësisht kritikave në rritje kundër teknologjisë, policia do të aplikojë muajin tjetër një sistem të ri vëzhgimi, që është bërë më aktual pas sulmeve vdekjeprurëse në “Manchester Arena”.

Por si do të funksionojë sita e cila do të mbajë larg rrezikun nga sporti më popullor në planet, në “Millennium Stadium”. Në një të shtunë të zhurmshme dhe kaotike, pritet që kamerat e fshehura të skanojnë të paktën 170 mijë tifozë, mes tyre persona me rrezik potencial për sigurinë. Në kohë reale dhe të denjë për inteligjencën artificiale të filmave hollivudianë, këto fytyra do të krahasohen me listat e zeza të të gjitha njësive të inteligjencës europiane.

Por sërish mbetet doza e skeptikëve për efektivitetin e skanerëve të fytyrës dhe teknologjisë për një ndeshje e cila prezumohet të bashkojë njerëzit dhe jo t’i përdorë si kavie laboratori. Sfida e 3 qershor në “Millennium Stadium” në Kardif, vendos përballë Realin e Madridit dhe Juventusin.

Top Channel