Ballkani dhe integrimi, Rama takon Mogherinin

24/05/2017 00:00

Shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Federica Mogherini ka zhvilluar pasditen e së mërkurës një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama.

Për momentin nuk dihen detaje të takimit, që është zhvilluar përpara darkës që zonja Mogherini do të zhvillojë me kryeministrat e vendeve të Ballkanit.

Më herët ajo bisedoi në takime të ndara edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësues të qeverive të tjera të rajonit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ndodhet në Romë, ku po takohet me homologët e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit të Triestes.

Në darkën e punës të organizuar nga Mogherini do të diskutohet mbi mënyrën e kapërcimit të tensioneve në rritje në disa vende të Ballkanit, mbi përparimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin me BE-në.

Zyrtarisht është thënë se do të “diskutohet situata në rajon”, por burime diplomatike pohojnë se fokusi do të jetë më së shumti tek Kosova, ku më 11 qershor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare; si dhe tek Maqedonia.

Top Channel