Tirana zyrtare ngushëllon Britaninë: Të shokuar nga ngjarja në Mançester

23/05/2017 00:00

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me shpërthimin në Mançester, ku humbën jetën 22 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.

“Të shokuar nga lajmi i tmerrshëm për një sulm të dyshuar terrorist në Mançester. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për popullin britanik. Qëndrojmë të bashkuar”, thuhet në profilin e MPJ në Twitter.

Nishani: Hidhërim i thellë për viktimat

Edhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur “hidhërimin e thellë” për viktimat e pafajshme dhe të plagosurit e shumtë të aktit terrorist të ndodhur mbrëmë në Arenën e Mançesterit, në Britaninë e Madhe.

“Presidenti Nishani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave dhe autoriteteve britanike, ndërsa të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Duke shprehur solidaritetin e tij me qytetarët, kreu i shtetit i ka dënuar me forcë këto “akte mizore” dhe nxitësit e tyre, duke theksuar se terrorizmi nuk do të arrijë t’i mposhtë e gjunjëzojë vendet dhe shoqëritë e lira.

Shpërthimi i fuqishëm ndodhi mbrëmjen e së hënës në “Manchester Arena”, ku ishte duke u mbajtur koncerti i këngëtares Ariana Grande.

PD: Qëndrojmë përkrah popullit britanik

Edhe Partia Demokratike e ka dënuar “me forcë” sulmin terrorist të mbremshëm në Arenën e Mancesterit, ku gjeten vdekjen 22 njerëz të pafajshëm dhe 59 të tjerë u plagosen.

“Ky akt terrorist i shëmtuar dhe brutal është një tjetër shembull se si barbaria e terrorizmit cënon jetën e qytetarëve të pafajshëm në mbarë botën”, thuhet në një deklaratë.

Partia Demokratike shprehet se, qëndron në krah të popullit të Britanisë së Madhe për të kapërcyer këtë fatkeqësi dhe për të luftuar edhe më ashpër terrorizmin botëror.

“Mendjet dhe lutjet tona janë sot me familjet e viktimave dhe solidariteti ynë njerezor dhe politik me aleatin tonë të çmuar, Mbretërinë e Bashkuar”, përfundon njoftimi.

Meta: Sulmi, tragjedi jo vetëm për britanikët

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka shkruar një telegram kryetarit të Dhomës së Deputetëve në Parlamentin britanik, John Bercoë.

“I nderuar zoti kryetar, me hidhërim dhe keqardhje të thellë mësova lajmin tronditës për sulmin e tmerrshëm në Manchester ku shumë të rinj humbën jetën në moshën e tyre më të bukur. Sulmi në Manchester është një krim barbar i cili nuk është tragjedi vetëm për vendin tuaj por për gjithë botën e qytetëruar.

Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal më lejoni t’Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Ju dhe të gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre më të shtrenjtë e t’Ju siguroj se Shqipëria dhe shqiptarët qendrojnë pranë popullit tuaj në këtë cast të vështirë dhe përkrah gjithë botës së civilizuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Më lejoni mik i shtrenjtë të bashkoj lutjet e mia të sinqerta për viktimat e pafajshme që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe t’u uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Duke Ju përcjellë ndjenjat e miqësisë së sinqertë dhe solidaritetit të plotë”, thotë Meta në mesazhin e tij.

Top Channel