
Një thesar të kujtesës kolektive e ka cilësuar kryeministri Edi Rama muzeun më të ri në vend, atë të “Shtëpisë së gjetheve”.
Duhet të përputhim raportin tonë me të shkuarën, tha Rama, për të hedhur sytë nga e ardhmja.
“Nëse përpjekja jonë për të bërë shtet është një përpjekje e sinqertë, nuk ka gjasë që të ketë sukses të plotë pa u mundësuar të rinjve një takim fizik me kujtesën në stacione të ndryshme, në pika të ndryshme”, tha Rama.
Shkrimtari Daut Gumeni, i burgosur në kohën e diktaturës, vlerësoi rëndësinë që kanë muze të tillë: “Edhe ata që kanë shumë frikë nga e shkuara, kur shohin që shtohen muzetë, ndoshta u del frika. Thuhet se sa më thellë ta njohim të shkuarën, aq më të gjallë e bëjmë demokracinë”.
Kryeministri kujtoi se kjo godinë u ngrit si maternitet për t’i dhënë jetë njerëzve, por në fakt u shndërrua në një godinë për t’ia marrë jetën atyre.
“Shtëpia e gjetheve” është përdorur në kohën e diktaturës si një qendër e seksionit teknik të Sigurimit të Shtetit, ku kryheshin të gjitha përgjimet. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro deklaroi se, projekti për ta kthyer këtë godinë në muzë ka filluar që në vitin 2014.
Top Channel