Guardiola konfirmon: Aguero qëndron te Man. City

22/05/2017 00:00

Sergio Aguero do të jetë pjesë e Manchester City edhe sezonin e ardhshëm. Ai që e konfirmoi këtë ishte vet trajneri Pep Guardiola, në përfundim të ndeshjes me Watford, që “Citizens” e fituan me rezultatin e thellë 5-0.

“Aguero është ende futbollist i Manchester City dhe do të vazhdojë të jetë në këtë skuadër edhe sezonin që vjen. Nuk e di sesa herë duhet ta pohoj këtë”, tha Guardiola.

Kontrata e Sergio Aguero me Manchester City skadon në verën e vitit 2018, por argjentinasi ka deklaruar gjithnjë se dëshiron të qëndrojë në “Ettihad Stadium”, përpara se të kthehet në Argjentinë te skuadra Independiente, për të mbyllur karrierën e tij.

Ndërkohë, Guardiola bëri edhe një bilanc të skuadrës së tij për këtë sezon, duke theksuar se është i kënaqur që e mbylli kampionatin në vendin e tretë, që e çon atë drejtpërdrejt në fazën e grupeve të Champions League.

Katalanasi 46-vjeçar vuri në dukje edhe faktin se Premier League është një kampionat i vështirë, duke marrë si shembull Arsenalin, që nuk mundi dot të kualifikohej në Ligën e Kampioneve, gjë që nuk i ndodhte që nga viti 1996.

Top Channel