LSDM-ja do ta dorëzojë brenda 10 ditësh, në Kuvendin maqedonas, programin dhe përbërjen e kabinetit qeveritar.

“Nuk duam të presim 20 ditë, – thanë zyrtarë të kësaj partie. – Duam t’i përfundojmë shpejt këto punë dhe proceset të ecin përpara. Do të kemi bisedime dhe negociata serioze me partnerët e koalicionit, me qëllimin të krijohet një qeveri funksionale në interes të qytetarëve. Boll e kanë pësuar prej veprimeve të VMRO-DPMNE-së dhe Gjorge Ivanovit”, shprehen të njëjtat burime.

Besohet se, të paktën dy poste ministrore në kabinet i janë rezervuar Aleancës për Shqiptarët, por ende nuk është përcaktuar me saktësi, se cilat do të jenë ato.

Njohësit e çështjeve juridike thonë ndërkohë se, pjesëmarrësit në aktet e dhunshme të 27 prillit duhet të dalin përpara drejtësisë e jo të amnistohen. Idenë e faljes së tyre e hodhi Ivanov, i cili foli për pajtim mes aktorëve të skenës politike, por edhe pjesëmarrësve në dhunë.

Në intervistën e dhënë për një medie të afërt me VMRO-në, kreu i shtetit maqedonas u shpreh se, shumica e re parlamentare duhet të ndjekë shembullin e vitit 2001. “Nëse atëherë i falëm krimet e luftës, pse këtë të mos e bëjmë edhe tani? Të falim njerëzit që morën pjesë në turmë dhe që vepruan me emocione. Këtë i takon ta bëjë shumica parlamentare, sepse nëse e hedh unë si hap kërkon shumë kohë, për shkak të procedurave që duhen ndjekur”, u shpreh ai.

Ivanov ka shkaktuar nga ana tjetër edhe një stuhi diplomatike, pasi akuzoi hapur ambasadoren e Gjermanisë në Maqedoni si jo kompetente, me pretendimin se dërgon lajme të rreme në Berlin. Presidenti maqedonas u hodh në sulm, pasi Ministria e Jashtme gjermane e kritikoi si “të vonuar në kohë” vendimin e tij për të dorëzuar mandatin e krijimit të qeverisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta