Parlamenti grek miratoi me 153 vota pro të deputetëve të partive të koalicionit qeveritar, nga 281 ligjvënës të pranishëm në sallë, projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me kreditorët, që përmban një paketë të re masash shtrënguese, me vlere 4.9 mld euro , midis të cilave reduktimin e pensioneve dhe rritjen e taksave.

Por në këtë paketë përfshihen gjithashtu edhe masa kompensuese për shtresat e varfëra të popullsisë, si rimbursime për qeratë e shtëpive apo të barnave mjekësore. Ndërsa 128 deputetët  e partive opozitare kanë votuar kundër,përveç disa neneve të parëndësishme.

Tashmë Athina zyrtare pret nga paketa e ndihmës financiare për Greqinë, zhbllokimin e një kësti prej 7.5 mld euro, shumica e të cilave do të shkojnë për shlyerjen e detyrimeve ndaj BQE-së.

“Me përfundimin e votimit, Greqia ka mbajtur plotësisht angazhimet e saj. Tani, topi është në fushen e huadhënësve dhe është radha për të mbajtur ata angazhimet e tyre, siç vepruam ne. Presim dhe kemi të drejtë nga eurogrupi i ditës së hënë një vendim për strukturimin e borxhit grek, që do të jetë ekuivalent me sakrificat e popullit tonë”, tha kryeministri Alexis Tsipras.

Kryeministri grek ka përsëritur edhe një herë se nëse nuk ka një zhvillim pozitiv për lehtësimin e borxhit grek, qeveria e tij nuk do t’i përmbahet premtimeve për implementimin e masave shtrënguese.

Ndërkohë që në parlament diskutohej paketa e katërt e reformave, në sheshin para ndërtesës kanë shpërthyer përsëri incidente të dhunshme, nga të rinj anarkistë, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me bomba me gaz lotsjellës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA