Tragjedia në spital, policia procedon në gjendje të lirë tre mjekët

17/05/2017 11:15

Një nga vëllezërit e Blerta Pepës, Rolandi, publikoi foton e fundit që i shkrepi 15 vjeçares, pak minuta para se ajo të futej në sallën e operacionit, prej nga doli e pajetë.

Por megjithëse spitali privat “Continental” tha se pacientja humbi jetën si pasojë e komplikacionit të rrallë, hipetermia malinje, por edhe të dhënat paraprake nga mjekësia ligjore pohojnë këtë dyshim,  policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë 3 mjekët që asisituan operacionin.

Për doktorin ortoped me origjinë gjermane, Moeibus Ulf, doktorin Jovan Kosta dhe anestezistin Tefik Zhurda, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të tentativës së vetëvrasjes me injektim preparati anestezie, blutë e kryeqytetit kanë referuar materialet në prokurori me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.

Nga ana tjetër, spitali “Continental” thotë zyrtarisht se e disponon ilaçin “Dontrolen” dhe se është përdorur gjithë sasia e nevojshme e këtij medikamenti. Megjithatë familja Pepa ka rezervat e saj për spitalin në fjalë.

“U përgatitëm për në orën 10 të paradites, por kaluan disa orë dhe si përfundim ishim bërë gati për në orën 8 të mbrëmjes  për të kryer operacionin. Spitali “Continental”, më vjen keq që ta them, por ishin të papërgjegjshëm. Nuk kemi patur fundja sikur një ngushëllim një telefonatë për babain tim”, shprehet Ermal Pepa, vëllai i Blertës.

15-vjeçarja e cila kishte marrë pjesë edhe në spektaklin “Gjeniu i vogël”,  u përcoll këtë të mërkurë për në banesën e fundit. Ndërkohë ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila bën me dije se ka ngritur grupin e punës për ndjekjen e këtij rasti dhe do të marrë masat e duhura për këtë ngjarje të rëndë.

Në të njëjtën kohë, Ministria i shpreh ngushëllime familjes si dhe po ndjek nga afër ecurinë e gjendjes shëndetësore të mjekut reanimator, i cili po lufton me vdekjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA