
Toni Kroos, Thomas Muller dhe Mesut Ozil janë mes përjashtimeve të bujshme për Kupën e Konfederatave, në radhët e kombëtares gjermane të futbollit, muajin e ardhshëm në Rusi.
Kampionët në fuqi të botës, të drejtuar nga trajneri Joachim Low, kanë preferuar të mos i sforcojnë disa nga yjet e “Die Mannschaft” në fundin e një sezoni sfilitës, kjo për shkak se vitin që vjen duhet të mbrojnë titullin e fituar në Brazil.
Jerome Boateng, Mario Gomez, Mats Hummels, Sami Khedira, Kroos, Muller dhe Ozil do të kenë pushime më të gjasa sesa zakonisht, pasi nuk janë në listën e grumbulluar të “Panzer”-ave.
Në listën e trajnerit Low nuk ka vend as për sulmuesin Marko Reus, i cili sugjeroi se do të ishte më mirë të pushonte pas dëmtimeve të rënda që e kanë përndjekur.
Këto mungesa, për shkak të zgjedhjeve, por edhe dëmtimet e Mario Gotze, Neuer dhe Howedes, e reduktojnë arsenalin e yjeve të Gjermanisë në Kupën e Konfederatave.
Vetëm 3 futbollistë që fituan titullion kampion bote në Brazil, në vitin 2014, janë përfshirë në turneun që do të luhet në Rusi: Matthias Ginter, Julian Draxler dhe futbollisti me origjinë shqiptare nga Gostivari, Shkodran Mustafi.
Kupa e Konfederatave nis më 17 qershor dhe mbyllet me finalen e madhe të 2 korrikut.
Top Channel