Veliaj: Kemi ngritur 1147 kryesi pallatesh

16/05/2017 00:00

Caktimi i administratorëve të pallateve do t’i japë zgjidhje problematikave të shumta që lindin prej jetesës në komunitet. Kreu i bashkisë Erion Veliaj foli sot në konferencën “Ndërtimi i axhendës për ndryshim: Shtrirja e strukturave komunitare në Shqipëri”.

“Ligj ka ekzistuar prej 10 vitesh, që kur u miratua nga qeveria e kaluar, por nuk u zbatua asnjëherë nga bashkitë. Kështu që, morëm një ligj i cili kishte nevojë për disa modifikime dhe sot kemi ngritur 1147 kryesi pallatesh. Vokacioni numër një i dikujt që jeton në qytet është që të jetë qytetar dhe fakti që 50% + 1 e banorëve të një pallati vijnë në asamblenë e pallatit për të caktuar kryesinë, e cila më pas do të vendosë për administratorin, është hapi i parë i një civilizimi shumë të pritur për jetesën në komunitet”, tha ai.

Veliaj deklaroi se brenda vitit do të përfundojë ngritja e të gjitha kryesive, e cila do të pasohet më pas me nënshkrimin e kontratave me administratorët e pallateve.

“Do të shkojmë në fazën ku bashkia qendrore do të merret me çështje të nivelit makro dhe jo siç ndodh tani, ku kryetari i bashkisë merr letra edhe për dikë që parkon keq apo për saksitë e dikujt që kullojnë në ballkonin e fqinjit. Gjëra të tilla mund të duken banalitete, por ndikojnë në cilësinë e jetës së dikujt”, u shpreh ai, duke shtuar se për të rregulluar jetën në komunitet, Bashkia e Tiranës ka ngritur edhe një strukturë tjetër, atë të ndërlidhësit me komunitetin.

Kryebashkiaku tha se në fund të kësaj jave, Bashkia e Tiranës do të nismojë grupin e parë të administratorëve të pallateve dhe projektet me bazë komunitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA