Këngëtarja që sfidon prangat

13/05/2017 00:00

Këngëtarja Myfarete Laze ka 48 vjet jetë në skenë me zërin që i këndon gjithçkaje që ka lidhje me shpresën. Artistja nga Shkodra u ngjit në skenë që fëmijë, numëron 17 çmime në festivale dhe së fundmi ka marrë nga Presidenti i Republikës titullin Mjeshtër i Madh. Por bashkë me këngën prej nëntë vitesh, këngëtarja e njohur sfidon përmes artit prangat që marrin lirinë e kujtdo që shkel ligjin.

“Po ta shohësh në shikim të parë ti thua ça ka dashur me thënë autori, kjo dorë është e gjithkujt, ne jemi njerëz, gabojmë, gjithkush mund të gabojë. Ja për shembull ka 12 vjet pa dalë nga burgu, ose kjo tjetra, shikoje, është e njëjta dorë, mbi arat e mbjella me grurë, po vijnë korbat, gjendja shpirtërore e vrarë e rrëmujë e zezë”, rrëfen Laze.

E punësuar pranë drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, këngëtarja evidenton bashkë me një grup pasionantësh si ajo çdo të dënuar që ka prirje për pikturë, letërsi, aktrim dhe natyrisht dhe për këngë.

“Vargjet e tyre janë shpirtërore, ndoshta nuk janë poezi por janë shpirt. Dikush i lutet edhe Zotit, thotë ‘O Zot ty po të kërkoj të falur se njerëzve nuk mund tu kërkoj, kam qenë i ri’. Është një Taulant, Taulant që ka shkruar 4 libra, është një Amadeo Boçi, i cili kur ka dalë në liri ka bërë 12 romane, ai është cilësuar vjet dhe shkrimtari më i mirë i vitit. Të jep kënaqësi kjo pjesë kur evidenton talente të tilla, të cilët ndoshta rastësisht zbulojnë diçka nga vetja shumë shumë, shiko, kjo është një broshurë që është kthyer në këtë mënyrë. Tashti po përgatisim një tjetër, shiko në sistemin e burgjeve”, thotë Myfaretja.

Këngëtarja ka një sekret se çfarë e shtyu drejt misionit për të zbuluar e mbajtur gjallë të bukurën në shpirtin e çdo të dënuari. Është takimi me kolosin e muzikës Luk Kacaj, i cili gjatë komunizmit përfundoi në burg.

“Kur e takova Luk Kacen në rrugë isha me Tinka Kurtin, i thotë “Tinka, unë nuk e harroj kurrë, ti ke ardhur me pa në burg, në atë kohë punojsha në burg i thotë, kisha bërë një kor a capelo, një kor me 50 vetë në burg që këndojshin, imagjino në ato vite të vështira”. Kjo më ngacmoi. Rastësisht pata takuar drejtorin e institucionit, më thotë kamarieri “Ai burri atje është drejtori i burgjeve dhe ju ka qeras familjen tuaj me një shishe verë”. I thashe “sa mirë që ju takova se kam dasht me ju njoh”. Më tha “Po pse”. “Se dua të filloj punë në burgje”. Ai mbeti i çuditur e më tha “Unë e kam për nder të vish ti, ti hajde po çfarë do bësh”. I thashë unë dua të bëj atë punë që ka bërë Luk Kaca, dua të coj shpirtrat e njerëzve prej atij halli, prej asaj mërzie, prej atij humbje të vetëdijes, humbje të shpresës, unë dua të ngjall një shpresë i thashë e me mundsha me e arrit këtë, unë kam me qënë e lumtur”, rrëfen më tej këngëtarja e mirënjohur.

Nën ndikimin e këngëtares gjatë këtyre viteve një grup të dënuarish konkurruan në festivalin e Gjirokastrës si dhe të tjerë u ngjitën në skenë. Aktualisht të dënuarit kanë ngritur grupe të këngës polifonike labe dhe me çifteli. Megjithatë kënga që Myfaretja s’ka për të harruar kurrë është ajo e një të mituri në burgun e Kavajës.

“Kisha çuar disa shkrimtarë dhe thotë një djalë unë dua të repoj diçka. Ok, repoje dhe fillon tna rrëfejë nga jeta e burgut, ai duke repuar dhe të tjerët i vinin pas duke përplasur duart, siç duket e dëgjonin përditë në burg. Lot nga sytë shkrimtarëve. Kur doli nga burgu më mori në telefon e më tha dua të kthehem të repoj për fëmijët atje, tju tregoj për burgun. Momenti më i vështirë në burg gjithmonë mbesin të miturit. Fëmijët, jam shumë e vogël. Do kisha dashur megjithatë jam shumë e madhe, mbart në veten time 45 vite karrierë, tanë ato çmime brenda e jashtë Shqipërisë, e kam të drejtën me thanë me pa legjislacionin për të miturit “. vijon Myfarete Laze.

Sa herë në burg organizohen aktivitete artistike, këngëtarja nuk i pyet kurrë të dënuarit se për çfarë vepre janë dënuar, sepse nuk do të jetë paragjykuese për askënd.

“Është e vështirë me thënë të drejtën, unë dhe e përjetoj, bile ka patur raste që kam thënë unë do iki, pastaj kam thënë jo ky është misioni im. Në momentin që shkoja aty nuk më vjen me këndu sesa me gjet frazën e duhur për gjërat që duhet me bisedu, duke matur gjërat, duke parë se nga cili sektor vijnë. Më drejtohen për gjithçka sikur e kanë të tyren, sikur më kanë në shtëpi, njëri më tha më ke ardhur përmes televizorit, ka edhe kështu që nuk u ka humbur sensi i humorit”, thotë këngëtarja e mirënjohur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA