Veliaj: Jo diferenca në investime mes qendrës dhe periferisë

12/05/2017 00:00

Fshati Mihajas në Bërzhitë është në kufi me qarkun e Elbasanit dhe zonë periferike e Tiranës, por për kreun e bashkisë Erion Veliaj investimi është njësoj si brenda në Tiranë, duke bërë një shpërndarje të mirë të investimeve në të gjithë bashkinë.

Ai ishte në Mihajas duke ndjekur përfundimin e punimeve të shkollës së re 9-vjeçare të fshatit, që për Veliajn edhe pse në periferi të Tiranës ka të njëjtat kushte moderne se të gjitha shkollat.

“Këtu jemi në pikën më periferike të Tiranës ku ndahemi me Elbasanin, ama parimi është ky: nëse e ke emrin në Tiranë, duhet të trajtohesh njësoj si gjithë të tjerët dhe nuk duhet të ketë më distancë midis atyre që jetojnë në qendër apo në Unazë dhe atyre që janë në Krrabë, Bërzhitë, Zall-Herr, Zall-Dajt apo Zall Bastar. Kështu, jemi munduar si një familje nikoqire që t’i shpërndajmë investimet. Kemi punuar me të njëjtën cilësi si në shumë shkolla të Tiranës”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se përveç shkollës, Bashkia e Tiranës do të vijojë edhe me rrugën, ndërsa theksoi nevojën për të ndërmarë disa nisma që do ta lidhnin më shumë këtë zonë me tregun e Tiranës, çka do të stimulonte prodhimin bujqësor, por edhe do të sillte një rritje të ekonomisë lokale.

“Mendoj se e kemi nisur mbarë me shkollën, për të vijuar më pas me rrugën dhe nëse çdo vit bëjmë nga një punë, i kemi parë edhe dukun këtij bashkimi të madh me Tiranën. Këtu njerëzit janë jashtëzakonisht punëtorë, shoh që çdo pëllëmbë toke është punuar. Atëherë, duhet të kemi një bashkëpunim më të mirë për tregun, si e aksesojmë tregun, t’i lidhim njerëzit me restorante në Tiranë që duan produkte bio”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA