Varrezat murale, të parët italianët dhe më të vjetrit

11/05/2017 00:00

Ndonëse e re në koncept, varreza murale duket se është mirëpritur nga qytetarët e Tiranës, pasi kanë nisur edhe kërkesat e para për të vendosur eshtrat e të afërmve të tyre, në të parën varrezë murale që është ndërtuar në Sharrë.

“Kjo është hapësira ku do të vendosen eshtrat. Një kuti hermetike me përmasa 25 cm me 70 cm do të vendoset brenda kësaj hapësire. Më pas vihet pllaka, ku shkruhet emri dhe vihet fotoja që duan të afërmit”, tha Rajmonda Shino, drejtore e Agjencisë së Shërbimit Funeral.

Si fillim, në këto varre do të vendosen eshtrat e 108 ushtarëve italianë të rënë në vitet ’42-’43, e më pas do të bëhet zhvarrimi i eshtrave të varreve të vjetra, të cilat nuk vizitohen më nga të afërm të tyre.

“Kemi të evidentuara 608 varre të braktisura, që nuk vizitohen më nga të afërm dhe mirëmbahen nga institucioni ynë. Do të bëhet njoftimi elektronik dhe do të qëndrojë gjatë të gjithë kohës që do të kryhet procesi i zhvarrimit. Nëse ndonjë i afërm do të paraqitet, ne do të rivlerësojmë kërkesën e tij”, tha më tej Shino.

Ndërkohë, në Agjencinë e Shërbimit Funeral kanë mbërritur kërkesa të qytetarëve të besimit katolik, të cilët duan të zhvendosin eshtrat e të afërmve të tyre në varrezën murale.

“Bëhet fjalë për rreth 750 vende në total në Tufinë. Më tej do të bëhet ndërtimi i mureve rrethues, që do të kenë karakter të dyfishtë, do të shërbejnë edhe si varreza murale, por njëkohësisht edhe si mbrojtëse e varrezave në tërësi”, deklaron Shino.

Përveç varrezës murale në Sharrë, e cila ka 435 vende, një varrezë e tillë është ndërtuar edhe në Tufinë dhe projekti do të vijojë më tej për të liruar sa më shumë hapësirë në varreza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA