Reagimet, Partizani: Zhgënjim nga futja e “hajdutëve” në shtëpinë tonë

11/05/2017 00:00

Zhgënjim, por edhe krenari. Ky është reagimi zyrtar i klubit të Partizanit pas publikimit të videoskandalit të përpjekjes për trukimin e ndeshjes Partizani-Kukësi, i transmetuar i plotë në emisionin investigativ “Fiks Fare”.

“Zhgënjimi nga rezultati në fushë është i madh, por jemi krenarë që derdhim djersën ndershmërisht, jemi me kokën lart se kemi pikët që na takojnë dhe nuk i jemi futur kurrë në shtëpi rivalëve për t’i vjedhur apo për t’i blerë. Ne luftojmë të vetëm dhe këtu nuk bëhet fjalë për një ndeshje, as për një titull, të paktën të tillë JO, kurrë!”, shkruhet në komunikatën e ekipit në faqen zyrtare të rrjetit social “Facebook”.

Më tej, deklarata vijon me faktin që klubi që po ndërtohet nga presidenti Gaz Demi nuk do të jetë kurrë pjesë e kësaj maskarade.

“Presidenti Gaz Demi dhe klubi që po ndërton dhe formon nuk do jetë kurrë pjesë e kësaj maskarade dhe i ka pritur me respektin maksimal të gjithë homologët nga dera e madhe e ndershmërisë, ndërkohë që ata tentojnë t’i hyjnë nga dritarja”.

Duke e quajtur një turp të madh, një ballo me maska në të cilën Partizani nuk do të hyjë kurrë, klubi i kuq deklaron se “njerëzit duhet ta dinë se, kur ‘hajdutët’ mbërrijnë në ‘shtëpinë tonë’, merret me mend çfarë kanë bërë me ekipet e tjera”.

“‘Hajnia’ është ngritur në sistem nga ‘i madhi’ dhe ‘të mëdhenjtë’ e videos. Ne jemi krenarë që luftojmë të vetëm, bashkë me tifozët tanë, për një lojë të pastër, edhe pikërisht atë lojë duam të fitojmë”.

Ndërkohë, nga klubi verilindor i Kukësit nuk ka pasur një reagim gjatë ditës së sotme, por dje, pasi u mësua ekzistenca e një videoregjistrimi që denonconte pikërisht këtë përpjekje, të zbardhur tërësisht nga emisioni “Fiks Fare”, drejtues të klubit shkruanin në faqen zyrtare të internetit:

“Klubi i Kukësit është shumë i shqetësuar me shkrimet e publikuar nga media të ndryshme që e lidhin skuadrën verilindore me çështje që nuk bëjnë pjesë në mentalitetin tonë. Duke u nisur nga shkrimi duhet të theksojmë se menaxheri Drini Çaushi nuk është pjesë e Kukësit dhe klubi distancohet nga këto shkrime. Bëjmë të ditur se klubi i Kukësit bashkëpunon me shumë menaxherë dhe pjesa më e madhe e lojtarëve të skuadrës tonë kanë të tillë, por kjo s’do të thotë që ata janë pjesë e jona, apo veprojnë nën stemën e skuadrës e aq më pak të kenë detyra të tjera nga drejtuesit”.

Në fund, klubi kuksian ka kërkuar që “emri i klubit të Kukësit të mos ndotet nga shpifje të tilla. Në të njëjtën kohë tërheqim vëmendjen e medieve që të jenë më të kujdesshme në publikimin e shkrimeve që trazojnë opinionin sportiv, pasi veprimet personale të një menaxheri apo një tjetri, nuk mund të ‘vishen’ me ngjyrat e klubit tonë”.

Top Channel