Policia në zgjedhje, Totozani i dërgon rekomandime Çakos

10/05/2017 00:00

Avokati i Popullit Igli Totozani i ka dërguar rekomandim drejtorit të policisë së shtetit, Haki Çako lidhur me detyrat e policisë në zgjedhje.

Totozani kërkon marrjen e masave të nevojshme tekniko-organizative me qëllim zbatimin me korrektesë të detyrave ligjore të parashikuara nga Kodi Zgjedhor.

“Të vazhdoj trajnimi me të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që do të marrin pjesë në shërbimet që do të organizohen në kuadrin e procesit zgjedhor me qëllim njohjen e tyre me detyrat dhe rolin e Policisë së Shtetit në këtë proces”, thotë më tej Totozani.

Totozani thotë më tej se me ligj policia e shtetit është e depolitizuar, “por duke mbajtur në konsideratë ndonjë dyshim të shprehur publikisht nga forca të caktuara politike lidhur me ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve të strukturave shtetërore, duhen marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo akt të mundshëm të kundërligjshëm në procesin zgjedhor nga punonjësit e Policisë së Shtetit”.

Top Channel