
San Antonio rimerr kryesimin ndaj Houstonit, në gjysmëfinalen e Konferencës së Perëndimit të NBA-së. Skuadra e drejtuar nga Gregg Popovich fitoi ndeshjen e pestë të zhvilluar në “AT&T Center”, me rezultatin 110-107.
Kjo ishte një sfidë që shkoi ndryshe nga 4 të parat, pasi këtë radhë në parket u pa një rivalitet më i madh mes skuadrave dhe këtë e tregon fakti që skuadrat u deshën të luajnë 5 minutat e kohës shtesë për të përcaktuar fituesen.
San Antonio pa të humbasë shërbimin e Leonard në periodën e tretë, me basketbollistin që e la parketin pas një dëmtimi të pësuar në kavilje, por me 22 pikë dhe 15 topa në tabelë deri atëherë, duke ia lënë vendin Manu Ginobili.
Ishte pikërisht argjentinasi, i cili në momentin kur Houston po kërkonte shkëputjen, shënoi pikët e barazimit 101-101, që ishte dhe rezultati përfundimtar i kohës së rregullt. Pikërisht në kohën shtesë, Houston u tradhtua nga Harden, i cili deri në atë moment kishte bërë një paraqitje fantastike, por në shtesë shënoi vetëm 4 nga 33 pikët e tij të sfidës dhe dha vetëm një asist.
Por më e keqja për Harden ndodhi në sekondën e fundit, kur rezultati ishte 110-107 dhe kur ai po tentonte të shënonte nga distanca për të barazuar rezultatin. Në atë çast ai u bllokua nga Ginobili, duke bërë të mundur që San Antonio të mbyllë ndeshjen në favorin e tij. Ndeshja e gjashtë mes Spurs dhe Rockets do të luhet mbrëmjen e së enjtes në “Toyota Center”, me San Antonion që ka mundësitë për të mbyllur llogaritë dhe të presë biletën për në finalen e Perëndimit, ku e pret Golden State.
Top Channel