
Për zgjedhjet e 18 qershorit do të prodhohen 3 518 295 fletë votimi, prodhim i cili pritet të nisë gjatë të martës. Ky vendim u mor unanimisht në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila zgjati vetëm 1 minutë.
“KQZ vendosi të miratojë sasinë e fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi për zgjedhjet e datës 18 qershor. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, tha Denar Biba, kryetar i KQZ.
Por, i kontaktuar nga Top Channel, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Ivi Kaso konfirmoi atë që tha në mbledhjen e së hënës, që Partia Demokratike do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor vendimin për miratimin e fletës së votimit.
Ende nuk është bërë e ditur dita e ankimimit, por referuar Kodit Zgjedhor, Partia Demokratike ka 5 ditë kohë për t’iu adresuar gjykatës.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve ku të drejtën e votës, sipas këtij dikasteri, e kanë 3 451 896 shtetas. Ndër ta, 136 239 zgjedhës votojnë për herë të parë.
51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra. Ndërkohë, 1367 persona të dënuar që vuajnë dënimin në burgje janë bllokuar në lista, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit.
Top Channel