Mbyllet “Mediterranea 18”, Veliaj: Veprat do vijojnë te ekspozohen

09/05/2017 00:00

“Mediterranea 18” ka mbyllur sot edicionin e saj, dhe gjatë këtyre pesë ditëve ngjalli interes tek shumë qytetar të Tiranës.

Mbrëmjen e të hënës kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi disa nga hapësirat e artit në kryeqytet me veprat më të mira të artistëve të huaj dhe theksoi se për Tiranën ishte privilegj që mes kuratorëve të kësaj bienaleje morën pjesë edhe shumë artistë vendas.

“Për Tiranën ka qenë një privilegj dhe një krenari e madhe që një pjesë e kuratorëve janë shqiptarë  dhe në njëfarë mënyre kanë sjellë shtëpinë e Mesdheut në shtëpinë e tyre. Shumë shqiptarë kanë lënë shtëpinë, për të gjetur një shtëpi të dytë si emigrantë, shumë të tjerë kanë lënë shtëpinë që kanë gjetur në perëndim, për t’ia rifilluar shtëpisë së vjetër që kanë pasur këtu. Kjo është një temë që na flet të gjithëve, Tirana është një shtëpi e madhe, e 1 milionë banorëve. Është kthyer në një shtëpi për njerëz nga Tropoja në Tepelenë, nga Saranda në Shkodër”, tha Veliaj.

Por pavarësisht se Bienalja mbyllet këtë të martë, Veliaj tha se shumë prej punimeve do të vazhdojnë të ekspozohen deri në fund të muajit.

“Ftojmë të gjithë të rinjtë, por edhe moshën e prindërve tanë, që të vijnë të vizitojnë disa nga 20 pikat me instalacione. Edhe pse Bienalja mbaron në datën 9 Maj, shumë prej ekspozimeve do të vazhdojnë të ekspozohen deri në fund të Majit. Ndaj besoj se do të kemi mjaftueshëm kohë, që me nxënësit e shkollave dhe me këdo tjetër që do artin dhe kulturën e mirë, të kemi mundësi të ekspozojmë sa më shumë prej vlerave që ka sjellë ‘Bienalja e Mesdheut’”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se pavarësisht situatës politike, Bashkia e Tiranës do të fokusohet në vazhdimin e jetës artistike dhe punëve në qytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA