
Chelsea ka mposhtur ekipin e Middlesbrough, me rezultatin 3-0, në takimin e zhvilluar në “Stamford Bridge”.
Me këtë fitore, ekipi i Antonio Conte vendos njërën dorë te titulli, i cili është vetëm tre pikë larg, kur kanë mbetur edhe tre ndeshje nga fundi i kampionatit.
Tre javët e ardhshme, Blutë e Londrës do të luajnë si udhëtues ndaj West Brom dhe më pas do të presin në fushën e tyre, Watford dhe Sunderland, me këta të fundit që kanë rënë matematikisht një kategori më poshtë dhe nuk kanë asnjë pretendim.
Londinezët dominuan takimin dhe arritën të shënonin dy herë në pjesën e parë, me anë të Diego Costës dhe Alonsos. në minutën e 65, ishte mesfushori serb Nemanja Matiç, që shënoi golin e fundit të takimit dhe vulosi rezultatin 3-0.
Në minutën e 84, ka vend në fushë edhe për liderin dhe kapitenin e Chelsea, John Terry, i cili është duke luajtur sezonin e fundit me këtë ekip. Mbrojtësi anglez zëvendësoi brazilianin David Luiz dhe u prit me duartrokitje nga publiku vendas, në shenjë nderimi për kontributin që Terry ka dhënë në sukseset e Chelsea.
Kështu Chelsea, pas problemeve të shfaqura gjatë vitit të kaluar, rikthehet të zhvillojë një sezon fantastik, nën drejtimin e trajnerit italian Antonio Conte.
Top Channel