Sadiku gol dhe të kuq, në derbin me Xhakën

07/05/2017 00:00

Ka përfunduar në barazim 2-2, ndeshja midis Luganos së Armando Sadikut dhe Bazelit të Taulant Xhakës.

Ndeshja nuk kishte asnjë vlerë për Bazelin, ndërsa Lugano kërkonte fitoren, për të siguruar një vend në kupat e Europës. Dy futbollistët e kombëtarës shqiptare lanë gjurmët e tyre në këtë takim, veçanërisht Sadiku me një gol dhe karton të kuq.

Xhaka dha asistin e golit të avantazhit për Bazelin, në minutën e 12 të pjesës së parë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, Bazeli dyfishoi rezultatin. Por, dy shqiptarët e Luganos nuk ishin dakord me këtë humbje dhe në fillim Alioski ngushton diferencën me penallti, ndërsa në minutën e 80, Sadiku barazon rezultatin, me një gol që u duk se u shty me dorë drejt rrjetës.

Sulmuesi elbasanas, pas shënimit të golit, festoi duke hequr bluzën dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lenë Luganon me 10 futbollistë.

Lugano ndodhet në vendin e katërt të Superligës zviceriane dhe duket se e ka siguruar pjesëmarrjen në kupat e Europës, në sezonin e ardhshëm.

Top Channel