Eurozona nën zero, Sejko: Humbëm nga interesat

04/05/2017 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se normat negative të interesit në Eurozonë kanë vështirësuar menaxhimin e rezervës valutore të Shqipërisë.

“Ato kanë ulur fitimin prej investimit të mjeteve tona të rezervës valutore duke prodhuar në disa raste edhe norma negative kthimi. Ky rezultat bëhet edhe më i rëndësishëm, ku në ndryshim nga vendet e tjera, hapësira për të diversifikuar rezervën në më shumë monedha të huaja mbetet më e vogël”, tha Guvernatori Gent Sejko.
 
Rezerva valutore e Shqipërisë është rreth 3 miliardë euro. Në vitin 2015, Banka e Shqipërisë fitoi 1.6 miliardë lekë nga investimi i saj, por vitin e kaluar fitimi u rrudh në 1.3 miliardë lekë. Megjithatë kjo nuk është pasoja e vetme e normave negative në Eurozonë.

“Ato kanë ndryshuar kthimet relative midis instrumentave financiarë të denominuara në monedhën vendase e të huaj, duke krijuar kështu si mundësi, ashtu edhe sfida në përpjekjen për të kufizuar nivelin e euroizimit në sistemet tona financiare”, shtoi Guvernatori.

Por, pavarësisht këtyre efekteve negative, në total ekonomia shqiptare ka përfituar nga normat e ulëta të interesit në Eurozonë, kjo pasi normat e ulëta në zonën euro i kanë nxitur investitorët të orientojnë kapitalet në vendet si Shqipëria, duke rritur investimet, por edhe duke nxitur eksportet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA