“Schengen”, KE u kërkon 5 shteteve t’i heqin masat e përkohshme

03/05/2017 08:30

Komisioni Europian rekomandon që Gjermania, Austria, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia t’i heqin brenda 6 muajsh kontrollet e tyre kufitare.

Edhe pse situata në përgjithësi është stabilizuar, ka ende një numër të madh emigrantësh të parregullt e azilkërkuesish në Greqi. Për këtë arsye, Komisioni vendosi si masë paraprake zgjatjen e kontrolleve për të fundit herë.

Por edhe gjatë kësaj periudhe kohe, ato duhet të kryhen vetëm mbi shënjestra të caktuara dhe në mënyrë të kufizuar.

Blloku i lejoi verifikimet në zonën e tij të lëvizjes së lirë, si pjesë e përgjigjes ndaj fluksit të refugjatëve dhe emigrantëve dy vite më parë, edhe pse shqetësimi mbi ndikimin që do të kishte kjo lëvizje te tregtia ishte i madh.

Komisioneri për Çështjet e Brendshme i BE-së, Dimitris Avramopoulos deklaroi se kontrollet duhet të përfundojnë.

“Ka ardhur koha për t’iu rikthyer gradualisht funksionimit të plotë të sistemit ‘Schengen’, ndaj ne po propozojmë hapat konkretë për ta bërë një gjë të tillë. E rekomandojmë që përkohësisht kontrollet në kufijtë e brendshëm të zgjaten për herë të fundit, megjithatë, në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje shteteve anëtare të mos i vënë në zbatim, por t’i kompensojnë me verifikime proporcionale policore në mbarë territorin e tyre”, tha Dimitris Avramopoulos.

Mbi një milion vetë hynë në Europë gjatë vitit 2015, shumica në Gjermani. Që prej arritjes së marrëveshjes BE-Turqi, vërshimi i emigrantëve të paligjshëm në Greqi ka rënë në masën 97%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA