Pranga pronarit të hotelit, shfrytëzonte ambjentin për prostitucion

03/05/2017 00:00

Një pronar hoteli është vënë në pranga dhe është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Tiranës me akuzën e “mbajtjes së lokaleve për prostuticion”.

Hetimi i nisur për vjedhjen e një çante me para në një hotel zbuloi një rrjet prostitucioni në kryeqytet.

Një shtetas që kishte qëndruar në hotelin “Papi” në Tiranë, me disa miqtë e tij ka denoncuar se në dhomë i është paraqitur një shtetase që i ka ofruar një vajzë.

Por megjithëse personi nuk ka pranuar shërbimet seksuale, në dhomë i kanë shkuar 2 vajza dhe gjatë kësaj kohe ai ka konstatuar se i mungonte çanta e dorës, në të cilën gjendeshin 3.500 euro.

Personi që vodhi paratë nuk është identifikuar ende, por hetimet zbuluan faktin penal të ushtrimit të prostitucionit në atë hotel.

Hoteli ishte në pronësi të shtetasit Përparim Xhelili, i cili ia kishte dhënë në përdorim një shtetaseje, e cila ndërmjetësonte me klientët për t’i ofruar disa vajza të cilat kryenin shërbime seksuale. Në pranga përfundoi edhe roja i hotelit për moskallëzim krimi.

Por pavarësisht se ishte deklaruar se hoteli përdorej nga shtetasja M. Dalti, në fakt, i dyshuari Xhelili organizonte punën në hotel, përfshirë edhe sigurimin e kushteve për prostituimin.

Ky i fundit rezulton se është dënuar më parë për të njëjtën vepër penale dhe për të njëjtin hotel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA