Leku, BSH mban të pandryshuar normën bazë

03/05/2017 00:00

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 1.25 për qind.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së këshillit, guvenatori Gent Sejko tha se në tremujorin e parë të vitit ekonomia shqiptare ka pësuar përshpejtim të rritjes, ndërkohë që inflacioni po i afrohet objektivit të vendosur nga vetë banka, prej 3 për qind.

“Përditësimi i parashikimeve tona afatmesme sugjeron se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet dhe se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2018”, deklaroi Sejko.

Guvenatori kërkoi që shpenzimet buxhetore të kenë një shpërndarje më të njëtrajtshme gjatë vitit dhe apeloi për vazhdimin e reformave strukturore për përmirësimin e klimës ndaj biznesit dhe ruajtjen e konsolidimit fiskal.

“Politika fiskale pritet dhe duhet të vazhdojë të ruajë një natyrë konsoliduese në afatin e mesëm. Kjo politikë ul primet e rrezikut, rrit hapësirat për kreditimin e sektorit privat dhe forcon kapacitetin e vendit për përballimin e goditjeve në të ardhmen”, tha Sejko.

Sejko shtoi se në këtë periudhë sistemi financiar ka qenë stabël, ndërkohë që niveli i kredive me probleme ka rënë ndjeshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA